Berisha e sulmoi ashpër, reagon Lulzim Basha: Gjuha e perdorur nga doktor Berisha më kanë..

215
0

“Dhimbja që ndjej për vendimin e djeshëm ndaj Sali Berishës, është dyfishuar sot nga reagimi i tij”. Kështu u përgjigj kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha i pyetur nga gazetarët jashtë sallës së Parlamentit, një ditë pasi përjashtoi liderin historik të PD-së nga grupi demokrat parlamentar.

“Kam ndjekur me dhimbje të madhe reagimin e doktor Berishës, konsideratën e kam shprehur mbrëmë në mënyrë të qartë dhe të plotë. Dhimbja që ndjej për vendimin e djeshëm është dyfishuar sot nga gjuha e përdorur nga zoti Berisha. Shpresoj që koha të jetë ilaçi më i mirë dhe të fokusohemi tek armiku i vetëm që është regjimi i Edi Ramës, problemi i vetëm i shqiptarëve”.

Ai shprehu keqardhjen që tezat e Ramës i dëgjoi sot nga Berisha. Basha theksoi se e vetmja rrugë e PD është të qëndrojë e bashkuar.

“Shpreh keqardhje që tezat e kundërshtarit të vetëm të PD e shqiptarëve sot i kam dëgjuar nga goja e një njeriu që vlerësimin e kam dhënë dje dhe i qëndroj dhe sot. PD nuk ka rrugë tjetër përveç se e bashkuar”.

Në deklaratën e tij jashtë parlamentit, Basha theksoi se beteja e opozitës sapo ka filluar dhe qëllimi i saj është ta kthejë sallën e kuvendit në fushë-betejë deri në mposhtjen e regjimit të Ramës.

“Jashtë kësaj salle duhet të ishin të gjithë ata që kanë grabitur djersën e shqiptarëve. Njëri prej të cilëve shpreson t’i ikë drejtësisë duke dorëzuar mandatin, por duke lënë bedelët e tij. Kjo është pakica e krimit dhe korrupsionit, pesha e së cilës bie mbi shqiptarët dhe fatet e tyre. Nga Vermoshi në Konispol detyra jonë është ta kthejmë këtë sallë në fushëbetejë deri në mposhtjen e këtij regjimi që ka marrë peng Shqipërinë dhe ka dorëzuar gjithçka në duart e një grushti kriminelësh e politikanësh të korruptuar.

Janë pasuruar në mënyrë marramendëse në kurriz të qytetarëve shqiptarë. Sot mund të duket si ditë e vështirë për të folur për këtë betejë se brenda kësaj salle është dita e parë e kësaj beteje. Pakica që ka marrë peng vullnetin e shqiptarëve dhe zotëron mjetet e pushtetit është dhe mbetet pakicë. Është detyra jonë që shumicën e shqiptarëve ta mobilizojmë në betejë pa kthim. Unë mbaj përgjegjësi të plotë për çdo betejë time, por kjo i takon çdo shqiptari”.