Historitë e trilluara rreth përplasjes së avionëve dhe luftës për mbijetesë, kanë qenë gjithmonë tematika të preferuara në industrinë e filmave. Por në “Society of the Snow”, që tashmë po transmetohet në Netflix, regjisori JA Bayona tregon historinë e vërtetë se si 16 anëtarë të një ekipi regbi uruguaian, arritën të mbijetojnë 72 ditë në një nga mjediset më të ashpra në botë. Filmi shfaq pamje të rënda, por është gjithashtu një rrëfim emocionues i mënyrës se si ata që i shpëtuan aksidentit famëkeq, u bashkuan për të kapërcyer çdo vështirësi.
Përplasja e avionit
Më 12 tetor 1972, avioni 571 i Forcave Ajrore Uruguaiane u ngrit nga Montevideo, Uruguai me 45 persona (40 pasagjerë dhe pesë anëtarë të ekuipazhit) në bord. Për shkak të motit të keq, avioni u detyrua të ulej në Mendoza të Argjentinës dhe të qëndronte një natë. Të nesërmen pasdite, më 13 tetor, avioni u nis përsëri për në Santiago, duke ndjekur një rrugë të re ajrore që do ta lejonte të anashkalonte zemrën e Andeve dhe të fluturonte përmes një kalimi malor më të ulët. Megjithatë, pak më shumë se një orë pas fluturimit, piloti në pamundësi për të bërë një ulje, u përplas me një mal, duke humbur të dy krahët dhe bishtin e avionit nga përplasja. Pjesa e përparme e avionit rrëshqiti dhe mbeti në një luginë me lartësi prej rreth 3500 metrash.
Çfarë ndodhi me pasagjerët e mbijetuar?
Nga përplasja fillestare vdiqën 12 persona dhe mbijetuan 33 pasagjerë. Pesë persona të tjerë vdiqën gjatë natës së parë dhe një tjetër, si pasojë e plagëve, vdiq një javë më vonë. Duke besuar se do të shpëtoheshin, të mbijetuarit duruan temperaturat, duke krijuar një strehë me rrënojat e avionit dhe duke racionuar pak ushqim që gjetën në bagazhe. Siç tregon dhe filmi, të mbijetuarit panë disa avionë shpëtimi që fluturonin lart ditët në vijim, por askush nuk ishte në gjendje të dallonte rrënojat e avionit në dëborë. Rreth ditës së dhjetë, të mbijetuarit gjetën një radio të vogël nga avioni dhe dëgjuan lajmin fatal se kërkimi për ta ishte ndërprerë dhe se të gjithë supozoheshin të vdekur.
“Ishte një ndjesi shumë e çuditshme të ishe gjallë, por të konsideroheshe i vdekur”, shprehet Canessa një nga të mbijetuarit.
Kanibalizmi
Ndërsa javët kalonin dhe pa asnjë alternativë tjetër për të zgjedhur, të mbijetuarit u detyruan përfundimisht të hanin të vdekurit për të qëndruar gjallë.
“Unë u thashë shokëve se do ta bëja atë veprim, do të haja një pjesë nga trupi i dikujt prej viktimave. Në atë moment, mendova se dhënia e shembullit i pari, do të ishte një mënyrë e mirë për t’i çliruar nga ndjesia e fajit dhe për të kuptuar se nuk kishim asnjë plan tjetër. Ngrënia e trupave ishte një përvojë poshtëruese, por na motivonte me idenë se do t’ia dilnim dhe do të ribashkoheshim me familjarët tanë”, tregon Canessa.
Regjisori Bayona tha për BBC se mënyra se si filmi i qaset historisë është krejt e kundërta nga ajo që mund të perceptohet fillimisht, kur preket tema e kanibalizmit. Është fokusuar në aspektin njerëzor të historisë dhe në miqësinë, në bujarinë ekstreme që ata kishin ndaj njëri-tjetrit. Më 29 tetor, dy ortekë të njëpasnjëshëm vranë tetë njerëz të tjerë dhe bllokuan pjesën tjetër brenda rrënojave të avionit për tri ditë. Ata që mbijetuan duhej të ushqeheshin me trupat e të vdekurve pranë tyre.
Si shpëtuan të mbijetuarit?
Tre anëtarë të grupit të të mbijetuarve, Canessa, Fernando Parrado dhe Antonio Vizintín u nisën në një përpjekje për të kaluar malet dhe për të mbërritur në Kili. Sa më shumë ecnin, kuptuan se ishin shumë më thellë në male sesa kishin menduar fillimisht. Vizintín u kthye në kamp në mënyrë që Canessa dhe Parrado të kishin më shumë racione ushqimore. Dyshja vazhdoi rrugën me rroba të improvizuara që i lejonin t’i mbijetonin temperaturave vdekjeprurëse të natës.
Pas një udhëtimi të vështirë 10-ditor, Canessa dhe Parrado më në fund arritën në një luginë ku takuan një burrë, i cili lajmëroi autoritetet se kishte ende të mbijetuar që prisnin të shpëtoheshin. Pasi kuptoi se më në fund ishin të sigurt, Canessa thotë se gjëja e parë që bëri ishte varrosja e eshtrave dhe mishit që kishin marrë me vete. Helikopterët e shpëtimit mbërritën në vendin e rrëzimit më 22 dhjetor, por ishin në gjendje të transportonin vetëm 6 nga 14 të mbijetuarit e mbetur, për shkak të motit të keq. Tetë të tjerët u morën të nesërmen.