Pas divorcit, mbeti me dy fëmijë në moshën 21-vjeçare, Ana: Rigjeta dashurinë me djalin e autobusit

1587
0

Ana, e moshuara që ka ardhur në “Ka Një Mesazh Për Ty” është e paralizuar prej 5 vitesh. Ajo e nis historinë e saj për rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan me periudhën e vajzërisë. Brenda 5 vjetësh, Ana u martua, lindi dy fëmijë dhe më pas u divorcua.

Ana: Unë jam e madhja e fëmijëve. U martova me një djalë nga Patosi. Jam martuar në moshën 16-vjeçare. Në moshën 17-vjeçare kam lindur djalin, në 19 kam lindur vajzën, djalë e vajzë. Gjatë viteve pastaj u shfaq xhelozia dhe filluan kontradiktat. U divorcuam.

Ardit Gjebrea: Në çfarë moshe?

Ana: 20 vjeçe, 21 jam ndarë.

Ardit Gjebrea: U ktheve te prindërit.

Ana: Jo, nuk u ktheva.

Ardit Gjebrea: Po ku jetove?

Ana: Në Patos. Erdhi babai për të më marrë dhe unë thashë jo nuk vij se nuk doja t’u bëhesha barrë atyre. Fëmijët i mora unë kështu që jeta ishte një çikë e vështirë, megjithatë e kalova. Pastaj jam njohur me bashkëshortin që kam sot.

Në atë kohë,  Ana jetonte në Patos ndërkohë që punonte në fabrikën e qumështit në Fier. Bashkëshorti i saj ishte nga Greshica e Mallakastrës. Pas përfundimit të ushtrisë ai nuk u kthye më në fshat, por jetonte te motra në Fier dhe punonte në azotikë. Gjatë kohës së lirë, shëtiste me autobus.

Ana: Kisha shoqe një fatorino autobusi se unë punoja nga Patosi në Fier që shkoja te fabrika e qumështit dhe më thotë kjo fatorinoja “pse nuk martohesh?”

Ardit Gjebrea: Është një çun që bredh lart e poshtë kot, ta bëjmë plot!

Ana: Po. I thashë unë jam me dy fëmijë, ça martese dua më? “Jo, je e re” tha, i thashë nuk ka martesë për mua. Më thotë “moj unë kam një djalë që më rri në autobus dhe ai ndoshta ma thotë me shaka o Sava më gjej një nuse o më gjej një nuse”, i thoshte kësaj. I thashë unë nuk e di. “E di çfarë do bëj”, unë tha ajo, “do t’ia tregoj, do t’i them kjo është e do këtë, ka dy fëmijë”. Kështu bëri ajo, unë hipa në autobus se do ikja në shtëpi, ai rrinte te dy stolat e fundit afër fatorinos dhe siç ma thotë ajo më mbrapa “unë nuk i ndahem, jo dy po edhe katër te ketë nuk i ndahem”.

Ardit Gjebrea: Të pëlqeu?

Ana: Po duket më pëlqeu përderisa tha ashtu.

Megjithëse ishte divorcuar, Ana vazhdonte të jetonte në të njëjtën banesë me ish-bashkëshortin dhe dy fëmijët. Kur ai vuri re se në shtëpinë e tyre hynte dikush tjetër u ankua në këshill. Megjithatë përgjigjja që mori ishte se “Ana tashmë ishte gruaja e tij” dhe prej asaj dite, çifti vazhdon të jetojë historinë e tij.