Pas 20 vite punë në Itali, e transferojnë biznesin e tyre të veçantë në një fshat të Lushnjes: Tokat e familjes këtu ishin bosh

9311
0

Një çift shqiptaro-italian të cilët për më shumë se 20 vite jetuan dhe punuan në Itali, kanë zgjedhur që të kthehen në Shqipëri për të nisur edhe biznesin e tyre të veçantë në një fshat të Lushnjes.

Sonila dhe Xhuzepe  kultivojnë trëndafila me qëllim nxjerrjen e vajit esencial për ta tregtuar më pas. Ata tregojnë se fillimet ishin të vështira, por gradualisht kuptuan që me punë arrihet gjithçka. Sot ata kanë kultivuar me trëndafila aromatikë një sipërfaqe prej 2 hektarësh.

“Kishim filluar me tim shoq qe ne Itali te kultivonim disa lloje trëndafilash për vaj esencial. Pame qe kultivimi nuk ishte edhe aq i vështirë sa mendonim dhe kur arritëm në një cilësi pune të mjaftueshme dhe na duheshin me shume toka për të mbjellë në Itali menduam te ktheheshim ne Shqipëri sepse tokat e familjes këtu ishin bosh. Thashë pse të mos e provoj këtu, po të rri jashtë atdheu”- u shpreh Sonila Vogli, sipërmarrëse.

Ndonëse e bukur puna ka vështirësitë e veta. Sipas Sonilës vitin e kaluar nga i gjithë prodhimi u arrit të përfitohej afërsisht vetëm një litër vaj esencial. Por për shkak të kultivimit biologjik dhe organik, tregu nuk mungon.

“Është një produkt që përmban komplet esencën dhe komplet të mirat e trëndafilit. Tregu ynë  i vogël dhe i zgjedhur. Ne arrijmë të prodhojmë rreth një litër vaj. Ne furnizojmë laboratorë të vogla që kërkojnë produkt cilësor. Kushton shumë. Kemi një klientelë të zgjedhur që beson tek ne”

Ndërkohë pranë shtëpisë Xhuzepe merret edhe me testimin e llojeve të reja të luleve që mund të përshtaten me kushtet klimatike të zonës. Vetë ai shprehet se ndihet mirë këtu dhe se ndihet i keqardhur për të rinjtë që largohen.

“Ndihem mire këtu në Shqipëri. Punoj për të përmirësuar kopshtin me lule. Po ecën mirë. Duhet edhe pak pune por po ecën mirë, kemi marre edhe pajisjet e duhura. Ndjej mërzi kur shoh të rinjtë që largohen. I sheh 18-vjeç pastaj vitin tjetër largohen në emigracion”- u shpreh Giuseppe Valoti, sipërmarrës”

Çifti shqiptaro- italian ka nisur këtë iniciativë pas kohës së Pandemisë dhe synon që ta zgjerojë aktivitetin me lloje te reja lulesh.