Parlamenti i ri “shkërmoqet” ende pa nisur, ja kush janë 4 deputetët që refuzuan mandatin

97
0

Në javën e parë të shtatorit pritet të inaugurohet legjislatura e re parlamentare, e dalë nga zgjedhjet e 25 prillit.  Ndërsa në javën e dytë të shtatorit pritet të mandatohet dhe të krijohet qeveria e re, e treta e PS prej vitit 2013.

Por ndërsa na ndajnë edhe pak ditë nga nisja e sesionit të ri parlamentar, duket se Kuvendi ka filluar të “zbrazet” ende pa u mbushuar, duke ndjekur “traditën”e përfaqësimit nga lista plotësuese.

Deri në këto momente, katër deputetë të zgjedhur në zgjedhjet e 25 prillit kanë dhënë dorëheqjen, ndërsa amerikanët po bëjnë presion edhe tek një i pestë.

“Sagën” e dorëheqjeve e nisi Tom Doshi, i cili vetëm një ditë pas zgjedhjeve njoftoi se jo vetëm që nuk do të marrte mandatin e fituar së fundmi, por hiqte dorë edhe nga mandati që kishte fituar në zgjedhjet e mëparshme.

“Unë  i nënshkruari Tom Doshi me vullnetin tim të lirë dhe të plotë deklaroj se në datën 26 prill jap dorëheqjen e parevokueshme nga mandati im si deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Deklaroj se sot në datën 26 prill jap gjithashtu dorëheqjen nga mandati im si deputet i fituar pas zgjedhjeve të 25 prillit 2021 dhe jap dorëheqjen nga lista shumëemërore e kandidatëve për deputet të PSD për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 25 prill. I kërkoj KQZ të bëjë zëvendësimin tim si deputet sipas parashikimeve të Kodit Zgjedhor. Sa më sipër është në përputhje me vullnetin tim të lirë dhe të plotë dhe nuk kam sot në datën 26 prill dhe asnjë pretendim me vendimin e KQZ sipas të cilit mandati im i kalon kandidatit tjetër sipas parashikimeve të Kodit Zgjedhor. Kjo dorëheqje është e parevokueshme”, shkruante Tom Doshi.

Dorëheqja e dytë, por edhe më e bujshme, ishte ajo e kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi. Nën argumenin se kishte plotësuar ciklin e tij pas 30 viteve në foltoret politike, gjatë fjalës që mbajti në Kongresin e jashtëzakonshëm të Partisë Socialiste, Ruçi njoftoi dorëheqjen nga të gjitha funksionet e Partisë Socialiste.

Ai theksoi se në muajin shtator, që përkon dhe me fillimin e legjislaturën e re nuk do ta ushtrojë mandatin e deputetit, që e fitoi më 25 prill.

“Më 9 shtator, që fillon legjislatura e re nuk do të ushtroj mandatin që më kanë dhënë socialistët dhe nuk do kem ambicien për të qenë në asnjë organ të zgjedhur të familjes time që më ka dhënë kaq shumë në këto 30 vjet”, tha Ruçi.

Por java e fundit e gushtit rezultoi më e nxehtë sesa ishte parashikuar, pasi u njoftuan edhe dy dorëheqje të tjera.

Fillimisht ishte kryeministri Edi Rama që njoftoi se Shefja e Infektivit Najada Çomo kishte vendosur të linte mandatin e deputetit, për shkak të shtimit të rasteve me covid. Edhe pse alibia e ngritur nga Çomo duket se nuk qëndron, pasi shifrat tregonin se covid po bënte kërdinë kur ajo pranoi të kandidonte nën siglën e PS.

“Jam i prekur nga komunikimi me Najada Çomon, ajo më kërkoi para pak kohe të pranoja tërheqjen e saj nga roli i ri i deputetes duke ndjerë shumë të fortë detyrimin për të mos u ndarë nga ekipi i saj kur varianti Delta i virusit arriti të rimbushë shtretërit e pavionit të terapisë intensive. E falenderoj për këtë shembull kuptimplotë dhe i them sot një faleminderit shumë të madhe. Lufta nuk ka mbaruar, vjeshta dhe dimri mund të jenë të vështirë”, tha Rama.

Dy ditë pas Najada Çomos, i radhës që do njoftonte se kishte hequr dorë nga mandati i deputetit ishte Mark Marku. Pedagogu i gazetarisë, përmes një shkrimi të gjatë jepte arsyet e këtij vendimi, ndërsa hodhi akuza të forta ndaj Bashës.

Sipas Mark Markut, PD është kthyer në një parti mburojë të interesave të dy liderëve, Sali Berisha dhe Lulzim Basha. “Lulzim Basha është kryetari i Partisë së Sali Berishës”,-shkruante deputeti i zgjedhur i PD.

Presion për lënien e mandatit është ushtruar nga SHBA edhe ndaj Sali Berishës, por ky i fundit ka deklaruar se do të jetë në parlament në shtator.

Siç duket na pret një sezon i nxehtë, pse jo edhe me surpriza të tjera.