“Paratë i kisha ruajtur të kuroja vajzën” Nëna mes lotësh: Dentistja Olesia Duka shkurtoi jetë fëmijësh!

1078
0

Report Tv ka siguruar ekskluzivisht dëshminë e njërit prej dhjetë personave të mashtruar nga stomatologia Olesia Duka. Fjorza Mullai ka trokitur në dyert e Report Tv, ku dhe ka rrëfyer se si dentistja Olesia Duka i ka marrë 30 mijë euro, të cilat i kishte kursyer për të kuruar vajzën e saj, që ishte me fibrozë cistike.

Mullai u shpreh për Report Tv se Olesia i mori shumën e parave të kursyera për vajzën, duke i premtuar se do të ndikojë te deputetët të miratojnë në parlament ligjin për kurimin e kësaj sëmundjeje dhe trajtimin e fëmijëve. Mesh lotësh, ajo tregoi se dentistja ka bërë më shumë se mashtrim, pasi iu ka shkurtuar jetën fëmijëve që vuajnë nga kjo sëmundje, ilaçet e të cilëve kapin vlera marramendëse.

“30 mijë euro, pothuajse gjithë lekët që unë kisha. Arriti të krijonte tek unë një besim që vërtet mund të më ndihmonte për atë që ne kishim nevojë, që mund të kalonte ligjin në Parlament. Shteti ka një përgjegjësi shumë të madhe në këtë pjesë, sepse na detyron të marrim masa alternative të besojmë çdo lloj njeriu, sepse ata nuk bëjnë punën e tyre dhe shkurtojnë jetën fëmijëve tanë, duke mos iu dhuruar atë për të cilën kanë nevojë, ilaçe, spitale”, tha Mullai.

Intervista e plotë:

Pse keni vendosur të flisni për një situatë kur ju jeni përfshirë disa kohë më parë dhe ndjeheni e mashtruar, e lënduar dhe në kërkim të një shprese?
Sa i përket çështjes së Olesia Duka është trajtuar gjithmonë se biznesmenë i kanë dhënë lekë ose ajo ka gjetur mënyra për t’i marrë, dhe ndërkohë ata janë njerëz që kanë shumë lekë. Rasti im është krejt ndryshe. Ajo shfrytëzoi situatën time që kam një fëmijë me fibrozë cistike, kam dalë shpesh në televizor për të folur rreth çështjes, meqë trajtimet këtu janë inekzistente dhe neve na duhen realisht miliona.

Më vonë trajtimet shkojnë deri në 55 mijë dollarë. Duke parë që situata ishte delikate, ajo mu afrua me idenë që ‘do iu ndihmoj për ligjin, meqë në rrjetet sociale kishte postime me deputetë, me njerëz që kishin të bënin me shoqata, dhe ne kishim vërtet nevojë për ndihmë, për shoqatën që sapo kemi krijuar për fibrozën cistike.

Më premtoi qiellin dhe tokën, ndihmë jo vetëm për fëmijën tim, por edhe për të gjithë fëmijët e tjerë që unë kam marrë përsipër për ta çuar përpara si nismë. Ideja është që sigurisht që lekët nuk jepen kollaj, por kur je në situatën time nuk janë as edhe një gjë. Një antibiotik i vajzës sime shkon deri në 800 euro dhe ajo e di shumë mirë, sepse ne e kishim diskutuar, ndërkohë që tek unë blinte produktet artizanale, e kisha kliente. Sa herë që blinte më afrohej edhe më shumë, deri sa arriti puna deri aty sa arriti puna sa më tha ‘do të jap këtë, atë, dhe si këmbim më kërkoi një hua për një afat të shkurtër.

Ua ka kthyer këtë hua, sa ju ka marrë?
30 mijë euro, pothuajse gjithë lekët që unë kisha. Arriti të krijonte tek unë një besim që vërtet mund të më ndihmonte për atë që ne kishim nevojë, që mund të kalonte ligjin në Parlament. Shteti ka një përgjegjësi shumë të madhe në këtë pjesë, sepse na detyron të marrim masa alternative të besojmë çdo lloj njeriu, sepse ata nuk bëjnë punën e tyre dhe shkurtojnë jetën fëmijëve tanë, duke mos iu dhuruar atë për të cilën kanë nevojë, ilaçe, spitale.

Kujtoni cili është momenti i fundit që keni diskutuar me Olesian për shumën e parave, si dhe kur do ua kthente?
Janë disa mesazhe në Instagram, që më kishte bërë një porosi dhe i them që mjaft me porosi, unë nuk kam nevojë të të shes ty, unë kam nevojë për lekët e mi.

Cila ishte përgjigjja?
Mos kij merak se e kam marrë unë përsipër vajzën tënde. Përgjigja ime ishte normalisht që vajza ime ka prindër që kujdesen jo vetëm për të, por edhe shumë fëmijë me fibrozë cistike nuk kemi më nevojë për ty. E kisha kuptuar që ishte e gjitha një mashtrim. Nuk  më ktheu më përgjigje. Më tha që 2018 do ta tregonte se kush ishte Olesia dhe realisht e tregoi.

Olesia nuk i shkurton jetën vetëm vajzës sime me ato lekë, por ne vazhdimisht blejmë ilaçe edhe për fëmijë të tjerë me fibrozë. Kemi plot dëshmitarë në Kosovë dhe vende të tjera që ne iu dhurojmë ilaçe me vlera marramendëse, që askujt nuk ja mban realisht xhepi dhe ndaj fëmijët tanë vdesin nga 10-15 vjeç, ndërkohë që mund të vdesin 40 vjeç.

Në gjykatë është paraqitur si një person që ka shkelur disa rregulla ligjore dhe ka mashtruar disa persona, duke iu marrë disa para. Olesia ka bërë më shumë se kaq, ka shkurtuar jetë fëmijësh. Fëmija im do mbi 5 mijë euro në vit tani që është 2 vjeçe dhe mbi 55 mijë kur të jetë 12 vjeçe dhe ajo ja mori lekët fëmijës sime.

Sot ajo është përballë një situate me drejtësinë, keni ju një apel çfarë prisni nga drejtësia shqiptare?
Unë kisha 30 mijë euro për vajzën time dhe ajo m’i mori. Është mjaft e vërtetueshme ku i ka gjetur lekët gjithsecili, unë punoj gjithë ditën për atë fëmijë dhe të tjerët, dhe ajo jo vetëm na mashtroi, por na mori dhe lekët. Nuk është thjesht ligjore, ka kaluar në moral dhe imoraliteti ka pak moral brenda vetes, ajo është totalisht e pamoralshme.Arsen Rusta/ Shqiptarja.com/