Skip to content

Parashqevi Simaku ndan dhimbjen me shqiptarët për djalin e saj: Nuk më dha asnjë urim, as për festa

    Viti 2025 ka qenë për mua një vit i veçantë, një vit që nisi me emocione të forta dhe surpriza të papritura. Më 3 janar, pas shumë vitesh, pata bekimin të takoja djalin tim, Luken. Ai takim ishte si një dritë që më ndriçoi zemrën dhe shpirtin, një moment që më rikujtoi sa e pafund dhe e pastër është dashuria e një prindi. Gjatë këtij viti kam marrë shumë dashuri dhe ngrohtësi, ndjenja që më kanë dhënë forcë dhe shpresë për të ecur përpara.

    Por ndërsa po i afrohem fundit të këtij viti, e ndiej zemrën time me një boshllëk të thellë. Një boshllëk që askush nuk arrin ta mbushë. Mungon “drita e syve”, ajo mungesë e heshtur që dhemb më shumë se çdo fjalë. Ai që nuk ishte pranë, që nuk më dha asnjë urim, as për festa, as për ditë të veçanta, as edhe një telefonatë. Është një dhimbje e qetë, por e rëndë, që e mbaj të fshehur thellë në zemrën time.

    Viti 2025 më dha shumë, por po e mbyll edhe me një mësim të fortë: se edhe kur merr shumë dashuri, mungesa e atij që zemra e kërkon mbetet gjithmonë një plagë e hapur.

    Duke parë përpara, dëshirat e mia për vitin 2026 janë të shumta, por disa prej tyre i mbaj më afër zemrës. Uroj me gjithë shpirt që Zoti të më japë mundësinë të vij në Shqipërinë time dhe të shkel sërish në vendlindjen time, në Kavajë, aty ku gjithçka ka nisur për mua.

    Një tjetër dëshirë e madhe e imja është që, për të gjithë adhuruesit e muzikës sime, të realizoj të paktën një koncert. Një koncert falënderimi për gjithë dashurinë që më kanë dhënë ndër vite, por veçanërisht gjatë këtij viti të veçantë. Do të ishte mënyra ime më e sinqertë për t’ua kthyer sadopak atë që më kanë dhuruar: mbështetje, besim dhe zemër.

    Me shpresë, lutje dhe besim, e pres vitin 2026.