Skip to content

Parashikimi i Motit për këtë javë, sinoptikani tregon cfarë pritet ditët në vijim..

    Dita e sotme sjell mot tipik veror, me shumë diell dhe temperatura të larta në të gjithë territorin shqiptar. Intervalet e gjata me diell do të dominojnë veçanërisht në vijën bregdetare dhe zonat e ulëta, ndërsa në zonat malore, gjatë pasdites do të shfaqen vranësira të lehta dhe kalimtare.

    Temperaturat e mesditës sot do të ngjiten deri në 34°C në zonat e ulëta perëndimore, ndërsa në zonat malore pritet të arrijnë deri në 28°C. Por, kjo nuk vlen vetëm për sot – pjesa tjetër e javës do të vijojë nën ndikimin e temperaturave të larta. Duke nisur nga dita e martë, parashikohet një rritje graduale e temperaturave të ajrit, duke kulmuar në pjesën e dytë të javës. Në qytete të zonës së ulët si Kuçova apo Fieri, priten vlera deri në 36–37°C.

    Përsa i përket zonave bregdetare, temperaturat e mëngjesit do të jenë rreth 19–20°C, ndërsa në mesditë priten vlera nga 31 deri në 34°C në disa zona të izoluara. Edhe në zonat malore, mesdita sjell temperatura të larta që do t’i afrohen 29°C, ndërsa mëngjeset do të jenë të freskëta, me vlera minimale rreth 10–11°C.

    Mot i nxehtë, por jo vetëm me diell

    Pavarësisht temperaturave të larta, nuk do të mungojnë vranësirat dhe rrebeshet lokale. Nga dita e martë pritet shtim gradual i vranësirave, fillimisht në veri, ku mund të shoqërohen me reshje të izoluara shiu. Ditën e mërkurë, vranësirat do të jenë më të shpeshta dhe pritet rritje e lagështirës, veçanërisht në gjysmën lindore të vendit ku do të ketë reshje në orët e pasdites, megjithatë do të jenë të shkurtra dhe të përkohshme.

    Këto rrebeshe do të vazhdojnë deri të paktën të premten, kryesisht në zonat lindore dhe ndonjë qytet të izoluar të zonës së ulët. Ndërsa zona bregdetare, përgjatë gjithë javës do të gëzojë mot të kthjellët në orët e mëngjesit dhe të mesditës. Pasditja do të sjellë kalime të lehta vranësirash, por pa reshje.

    Plazhi – i favorshëm gjatë javës

    Ata që kanë në plan të shfrytëzojnë plazhin këtë javë, mund ta bëjnë pa shumë shqetësime. Era do të fryjë mesatarisht me shpejtësi 30–35 km/h, dhe vetëm në orët e pasdites mund të arrijë në 40–45 km/h, por vetëm për intervale të shkurtra kohore.

    Pra, kjo javë pritet të jetë kryesisht me mot të mirë, ideale për pushuesit që kërkojnë diell dhe temperatura të larta, sidomos përgjatë bregdetit shqiptar.