Skip to content

Parashikimi i motit për fundjavën dhe javën që vjen nga Tanja Porja

    Sipas sinoptikanes kjo fundjavë pritet të sjellë mot kryesisht të kthjellët në territorin shqiptar. Do të dominojnë kthjellimet, ndërsa do të ketë vetëm pak vranësira të lehta dhe kalimtare, kryesisht në zonat malore në veri dhe juglindje.

    Temperaturat:
    Në mëngjes, termometri zbret deri në 11°C në zonat e thella malore dhe ngjitet deri në 20°C në zonat bregdetare. Gjatë mesditës, temperaturat maksimale variojnë nga 24°C në zonat malore deri në 34°C në zona të izoluara të Shqipërisë së jugut, si qarku i Beratit. E diela vijon në të njëjtat vlera, me një rënie të lehtë termike, kryesisht në veri dhe lindje.

    Era:
    Era mbetet disi problematike përgjatë bregdetit dhe në hapësirat detare, ku do të fryjë me intensitet mesatar dhe drejtim verior gjatë gjithë fundjavës.

    Pesëditëshi në vijim:

    • E hëna: Mot i kthjellët, me rënie të lehtë të temperaturave.
    • E marta: Shtim i vranësirave në orët e pasdites, me mundësi për rrebeshe afatshkurtra në verilindje dhe juglindje.
    • E mërkura: Stabilizim i motit, me rritje graduale të temperaturave në ditët në vijim.
    • Nga e enjtja e tutje: Pritet rritje e ndjeshme e temperaturave, ku termometri mund të ngjitet sërish mbi 37°C në disa zona.

    Ballkani:
    Pjesa më e madhe e rajonit do të mbetet nën ndikimin e kthjellimeve, me vranësira të lehta kalimtare në veriun dhe juglindjen e Ballkanit. Temperaturat minimale do të variojnë nga 8°C në lindje deri në 16°C në jug, ndërsa maksimalet do të shkojnë nga 24°C në veri dhe lindje, deri në 32-34°C në jug dhe përgjatë bregdetit.

    Europa:
    Europa Perëndimore dhe pjesërisht qendrore ndodhet nën ndikimin e një vale të nxehti afrikan. Temperaturat ngjiten deri në 40°C në jug të Spanjës dhe mbi 30°C në pjesën më të madhe të Europës Qendrore. Skandinavia përjeton gjithashtu temperatura mbi normalitetin, me vlera që shkojnë mbi 25°C në Oslo dhe Stokholm.