Pamflet politik për ju dhe të gjitha partitë: Ose luftoni varfërinë, ose shporruni!

557
0

Jeni socialistë? Keni ideale socialiste? Keni marrë pushtetin mbi bazë të një programi socialist, që do të thotë përmirësim i mirëqenies së shqiptarëve? O.K. Luftoni varfërinë, ose shporruni. Popullit, siç e thotë dhe shprehja popullore, i ka vajtur “thika në palcë”. Unë, nuk jam socialist, por, edhe sikur të isha një kriptosocialist kështu do t’u përgjigjesha; luftoni varfërinë ose shporruni! Këtë zemërim mbarëpopullor e dëgjojmë çdo ditë, në rrugë, në autobusë, në kafene, në supermarket, në ara, në fshatrat fushorë dhe malorë dhe në mbarë Shqipërinë. Këtë shprehje e dëgjojmë edhe nga emigrantët që kanë braktisur vendin e tyre për mungesë jetese, për një progres në jetën e përditshme. Progres do të thotë rritja e mirëqenies së popullit, sigurim pune, prodhim bujqësor dhe blegtoral në fshatrat e Shqipërisë, ngritje rrogash dhe pensionesh, dhe jo kultivim hashashi në mbarë Shqipërinë. Progres do të thotë mbajtjen e rinisë në vend duke u siguruar punë dhe banesë dhe jo ta përzësh nga sytë këmbët, për të qeverisur me duar të lira. Progresi ka lidhje me shpresën e shqiptarëve e cila iu është vrarë prej vitesh.

Ju që jeni në pushtet do të më kundërshtoni, duke më thënë se shpresën e shqiptarëve nuk e vramë ne, socialistët, e vranë fillimisht demokratët, më pas socialistët, pastaj sërish demokratët, pastaj sërish socialistët…

Ju, dëshironi ta shpërndani fajin, siç është bërë zakon. Dakord. Po ju çfarë bëtë ju, dhe çfarë vazhdoni të bëni ju në këto katër vjet? Pa na thoni? Çfarë programi kini ju për përmirësimin e jetës në vend? A jeni ju socialistë të vërtetë apo çfarë? A keni ju një program socialist të vërtetë apo çfarë? Çudia më e madhe vjen kur dëgjojmë se si partia demokratike shfaqet para elektoratit me një program të majtë, duke premtuar punë ,pensione dhe paga të larta. P.D-ja reklamon në programin e saj se nuk do të ketë më pensione më të vogla se 25 mijë lekë në muaj, brenda katërvjeçarit të parë, partia socialiste reklamon me bujë se po bëjmë shtet, duke rritur të gjitha llojet e taksave. Si ju duket ju socialistëve, kur një parti e majtë punon për ngritje taksash, ndërkohë që një parti e djathtë përdor në fushatën elektorale sloganet e një partie të majtë? Si ju duket ju kjo gjë, dhe pse nuk skuqeni e as nuk zverdheni? Mos kini ndërruar gjë programet? Mos kini ngatërruar gjë programet? Mos erdhët në pushtet me shumicën e votave për të përmirësuar vetëm mirëqenien tuaj, duke zhvilluar luftën primitive të klasave në një shoqëri kapitaliste? Para se të vinit ju në pushtet bëtë shumë zotime, për uljen e taksave të energjisë elektrike dhe të ujit? Ku i kini premtimet për 300 000 vende pune? A e shihni ju që varfëria në Shqipëri është ulur këmbëkryq? A e dini ju që Shqipëria sot, dhe pas njëqind vjetëve, jeton një kohë migjeniane? Përse e kini marrë pushtetin? Vetëm për veten tuaj, për farefisin dhe soj-sorollopin tuaj? Pushtet për t’u majmur dhe për t’u pasuruar për vete dhe për soj-sorollopin tuaj? Këto paskan qenë idealet socialiste ? Për këto gjëra dhe të tjera si këto e keni marrë pushtetin? Çfarë t’i themi elektoratit socialist që ka besuar ndershmërisht në fjalët që ju i thatë gjatë ditëve të zgjedhjeve? Zbrisni në popull, zotërinj dhe zonja të nderuara shikoni dhe prekni me dorë varfërinë që ka pllakosur gjithandej…ti zotëri Balla, dhe ju zonjëza Kodheli dhe Spiropali, që visheni aq bukur e që ligjëroni aq bukur para kamerave televizive do t’u skuqej faqja kur të gjendeshit ballë për ballë me këtë realitet migjenian të elektoratit tuaj, të atij elektorati që u ngriti nga hiçi në karriget e parlamentit.

Zotërinj socialistë, gjatë gjithë këtyre viteve që ju keni marrë pushtetin, u kam parë me kujdes. Kam vërejtur fytyrat tuaja, fjalët tuaja, veshjet tuaj, mirëqenien dhe buzëqeshjet tuaja cinike kur flitet për hallet e popullit. Kam parë në fytyrat tuaja një ftohtësi, një cinizëm dhe një buzëqeshje false, të pashpirt. Jini pikërisht ju që jeni zotuar para elektoratit tuaj për të ngritur mirëqenin e tyre dhe ai, naiv si gjithmonë, ju ka besuar. Jini pikërisht ju që pranuat të merrni detyrën e rëndë të përfaqësimit të popullit në parlament. Jini pikërisht ju, dhe iu kam vërejtur me kujdes, në seancën kur doli në tribunën e parlamentit ajo mjelësja e dhive nga Mirëdita, dhe foli me lot në sy për mjerimin tronditës të fshatit tonë… I vërejta me kujdes disa nga fytyrat tuaja, ftohta dhe cinike. Në atë çast mendova: ja kush janë ata që kanë marrë përsipër të qeverisin popullin dhe të rrisin mirëqenien.

Ju do të më kundërshtoni, duke më akuzuar se kinse, unë që shkruaj këto radhë jam një kundërshtar politik, jam një P.D-ist, dhe flas nga pozitat e kundërshtarit tuaj…Jo, zotërinj, unë jam një intelektual i thjeshtë, popullor. Në parti nuk kam qenë asnjëherë dhe nuk do të jem kurrë, pasi partitë, siç e kam thënë dhe në një shkrim tjetër, e deformojnë personalitetin e intelektualit, gjë e cila ka ndodhur pikërisht me ju. Unë i përkas genit migjenian…

Unë jam një qytetar që ndjej obligimin t’ju akuzoj për premtimet boshe. Unë i urrej ata si ju që bëjnë karrierë partiake dhe pushtetarë mbi premtime boshe. Unë e kam dashur dikur idealin socialist. Kam shkruar poezi të ndjera për socializmin, por erdhi një ditë që pushtetarët e dikurshëm socialistë, të cilët i mbani mend mirë dhe ju, i braktisën interesat popullore, e lanë popullin në mjerim dhe varfëri të skajshme. Ikën baballarët erdhën bijtë dhe nipërit, një racë edhe më perfide, demokratë dhe socialistë, të gjithë të të njëjtin lloj, të gjithë të rrjedhur nga i njëjti burim e të lindur nga e njëjta nënë. Të gjithë të prirur për të përmirësuar jetën e vet dhe të soj-sorollopit të vet…

Në se ajo kohë mban vulën e diktaturës, kësaj kohës suaj çfarë emri duhet t’i vëmë? Ajo kohë i vinte shqiptarët në punë, dhe të porsadalurit nga burgu, kjo kohë i përzë nga vendi shqiptarët mbarë, demokratë dhe socialistë.

Në atë kohë gjeje punë, në fshat dhe në qytet, sot për shqiptarët gjen punë vetëm përtej detit dhe përtej oqeanit. Punë shqiptarët gjejnë kudo, vetëm në tokën e tyre të djegur nuk ka më vend për të punuar as për të jetuar. Flas për milionat që e kanë braktisur tokën e djegur, për t’ua lënë vetëm një pakice, që të jetojnë në vila luksoze, në periferi të qyteteve dhe në bregdete. Unë komunikoj me ju me këtë gjuhë pasi e ndiej që disave prej jush u ka humbur ndjeshmëria dhe ju janë zënë sytë dhe veshët, për të shikuar dhe për të dëgjuar se çfarë po ndodh përtej perdeve të dritareve të apartamenteve tuaja.

Personalisht nuk kam asnjë arsye të flas me ju me gjuhën e urrejtjes, por, më dridhet buza kur dëgjoj dhe shoh bashkatdhetarët e mi dhe tuajit njëkohësisht, të Kukësit dhe të Peshkopisë, të Fushë-Arrëzit dhe të Tropojës, të Përmetit dhe të Skraparit, të Sarandës dhe të Vlorës, të Bilishtit dhe të Gramshit e Tepelenës që nuk sigurojnë dot ushqimin e përditshëm për fëmijët e tyre.

Çfarë jini duke bërë ju, konkretisht? Taksa, taksa, taksa…Taksa uji, taksa energjie, taksa telefoni dhe interneti, taksa toke, taksa prone, taksa deti taksa ajri…në një vend të varfër me të ardhura qesharake… Dhe pastaj na dilni nëpër medie, ju, kostume-shtrenjtët dhe qafëtrashët, krenoheni që po bëni shtet…Sikur shteti të ishte ai që bëni ju, në kurriz të mirëqenies së popullit. Gëzoheni që nuk ka sindikata. Alarmoheni që në protestën e Rrugës së Kombit, së bashku me popullin, paskan dalë dhe kundërshtarët tuaj politikë. Kini frikë, jo nga populli, por nga kundërshtarët tuaj politikë. Kini frikë mos ju marrin pushtetin. Gëzoheni që nuk ka sindikata që të viheshin në krye të demonstratave.

Gëzohuni, ju dhe pushtetarët e tjerë që do të vijnë! Gëzohuni që ky vend ka mbetur i shkretë. Gëzohuni që në vend s’ka mbetur më as gjysma e popullsisë. Gëzohuni që rinia e kualifikuar po ikën dita-ditës ,nga sytë këmbët. Gëzohuni që kemi zënë vendin e dytë në botë në emigracionin e këtyre viteve. Gëzohuni! Veç ruajuni zemërimit dhe urrejtjes popullore. Ruajuni uraganit popullor.

Populli beson. Populli hesht. Populli fle me sy hapur, por kur zgjohet ai toka dridhet nën këmbët e tij si nga një tërmet i fuqishëm. Kur fryhet zemërimi popullor qeniet e mjera tërhiqen zvarrë, siç u tërhoq busti i diktatorit, përgjatë bulevardit të Tiranës./Sulejman Mato/gsh/