Pakoja e Vitit të Ri për pensionistët, nesër nis marrja e shpërblimit, datat si do shpërndahet (Grafiku)

582
0

Nga data 17 dhjetor nis shpërndarja e shpërblimit për pensionistët. Më shumë se 650 mijë pensionistë do të nisin ditën e hënë të marrin 5 mijë lekë, shpërblim të vendosur nga qeveria. Kush nuk e ka marrë ende pensionin do ta marrë shpërblimin bashkë me pensionin. Ndërkohë që ata të cilët e kanë marrë pensionin, do ta tërheqin shpërblimin duke filluar nga dita e hënë. Shpërblimi do të merret në postë. Edhe Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore Astrit Hado, i kontaktuar nga gazeta, thotë se nga dita e hënë pensionistët duhet të paraqiten në postë për të tërhequr shpërblimin. 

 “Nga data 17 dhjetor do të nis procesi i shpërndarjes së shpërblimeve dhe të gjithë ata që kanë datën në këtë grafik, pavarësisht nga llojet e pensioneve, do ta marrin shpërblimin bashkë me pensionin. Dhe të gjithë ata, po themi ata që e kanë marrë pensionin ditën e hënë, 3 dhjetor do të lihet që të hënën pasdite të marrin shpërblimet, në varësi të grafikut të cilin do ta publikojmë. Duke filluar nga ora 8 e mëngjesit deri rreth mesditës, punonjësit e Postës do t’u shpërndajnë pensionin atyre që kanë ditën dhe pasdite do të shpërndajnë shpërblimin vetëm për ata persona që u ka kaluar data e marrjes së pensionit. Sigurisht, që do të punojmë me orar të zgjatur. Numri total i përfituesve është 650 mijë e 600 përfitues”, – u shpreh Astrit Hado.

NJOFTIMI
Për të realizuar në kohë dhe me korrektësi  dhënien e këtij shpërblimi është realizuar një grafik në të gjitha qendrat paguese të postës. Sipas këtij grafiku, të miratuar për këtë qëllim, do të punohet me orar veprimi nga ora 7.30 deri në orën 20.00, çdo ditë, duke filluar nga data 17.12.2018. Sipas këtij grafiku çdo ditë deri në orën 14;00 do të realizohet pagimi i pensionit dhe shpërblimi për ata pensionistë që kanë datën e tërheqjes së pensionit dhe pas kësaj ore do të paguhet shpërblimi për pensionistët që e kanë tërhequr pensionin para kësaj date sipas grafikut të mëposhtëm. Pensionistët që e tërheqin pensionin pranë bankave të nivelit të dytë, në datën e pagesës së pensionit 20.12.2018,  do ju transferohet edhe masa e shpërblimit.  Për pensionistët qe e tërheqin pensionin në zyrat postare në fshatra, shpërblimi do të paguhet sipas datave të pagesës së pensioneve, duke filluar nga data 18 dhjetor e në vazhdim.

Shpërblimi
Shpërblimin do të marrin të gjithë pensionistët. Edhe në rastet kur është një kryemfiljar pensionist, si dhe bashkëshortja e tij pensioniste, përsëri secili prej tyre do të përfitojë 5 mijë lek shpërblim. Në aktin normativ që ndryshoi buxhetin e vitit 2018 pak muaj më parë, qeveria ka akorduar një fond të posaçëm 3 miliardë lekë ose rreth 28 milionë dollarë që do të përdoret si shpërblim për pensionistët, çka nuk ishte parashikuar në buxhetin e miratuar në fillim të vitit. Po kështu shpërblim pritet të ketë edhe për kategoritë e tjera në nevojë. Vitin e kaluar, shpërblimi me rastin e festive të fundvitit ishte në masën 3 mijë lekë të reja, ndërsa një shpërblim prej 2 mijë lekësh iu dha edhe kategorive të veçanta si përfituesit nga skema e ndihmës ekonomike.

Përfituesit
-499.000 persona që marrin pension pleqërie, invaliditeti familjar dhe pension qyteti
-133.000  persona që marrin pension si anëtarë të kooperative bujqësore 
-981 persona me trajtim të veçantë financiar, dhe persona që kanë punuar në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake. 
-11.876 persona që marrin pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi.