“Ose e imja ose e askujt”, vrasja e Klodiana Vefës e paralajmëruar: Po të numërohen ditët.. (Te tjera detaje)

3432
0

Klodiana Vefa, 37-vjeçarja shqiptare që u vra në Itali nga bashkëshorti i saj, duket se është një krim i paralajmëruar.

Të paktën kështu raportojnë mediat italiane pas zbulimit të disa detajeve të reja.

Martesa e Klodianës me bashkëshortin Alfred Vefa kishte marrë fund prej rreth 6 vitesh.

37-vjeçarja kishte një të dashur tjetër disa kohë më parë, ndërsa ky i fundit kishte takuar edhe Alfredin duke i kërkuar që t’i jepte fund lidhjes me Klodianën.

Por bashkëshorti nuk e pranonte ndarjen. Sipas informacioneve të fundit, ai e kishte kërcënuar disa herë Klodianën, duke i thënë “po të numërohen ditët” dhe “do të jesh e imja ose e askujt”.

Sipas hetuesve italianë që kanë mbledhur prova dhe kanë marrë dëshmi të tjera, kanë mundur të mësojnë se Klodiana Vefa ishte në dijeni që Alfredi mbante një armë pa leje, por nuk kishte frikë.

Grupi hetimor beson se për vrasjen e 37-vjeçares nuk kishte një shkak konkret, por ka qenë situata e nderë e akumuluar prej kohësh mes çiftit çka detyroi Alfred Vefën të ekzekutonte me 3 plumba 37-vjeçaren, nënë e dy fëmijëve.

Mikesha të Klodiana Vefës e kanë përshkruar bashkëshortin e saj si një njeri të dhunshëm.

“Para disa vitesh më në fund arriti që të ndahej nga bashkëshorti, ishte një burrë jo i mirë. Ishte njeri i dhunshëm, e dinim të gjithë. Ai i ushtronte dhunë psikologjike. Ajo ishte gjithmonë e qeshur dhe e gëzuar, ndryshoi krejtësisht kur ishte me të. Ai ishte njeri i frikshëm, por ajo nuk e denoncoi kurrë atë”.

Trupi i pajetë i Klodiana Vefës u gjet nga fëmijët e saj. Ndërsa autori, Alfred Vefa u arratis pas krimit.

Ai vijon të jetë në kërkim nga policia italiane.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së enjtes në qytetin Castelfiorentino.