Objekt sulmesh dhe memesh pasi uli kokën, Elseid Hysaj merr vendimin e papritur

785
0

Mbrojtësi i kuqezinjve që luan në Seria A, Elseid Hysaj ishte një prej lojtarëve më të kritikuar në përfundim të ndeshjes me Italinë për shkak të atij veprimi teksa uli kokën te gjuajtja e Barrelës duke lënë topin të përfundonte në rrjetë.

Lëvizja e tij u bë jo vetëm objekt kritikash, por edhe memesh në rrjetet sociale, ku të shumtë ishin tifozët që i kujtonin modelin e flokëve që ruajti Hysaj në atë moment.

Edhe pse përkulja ishte e pakët, por e mjaftueshme që topi të kalonte sipër kokës së tij dhe të shkonte në rrjetën që mbrohej nga Strakosha.

Duket se këtë vrull komentesh kundër tij, e kanë rënduar psikologjikisht Hysajn, aq sa ka marrë vendimin për të mbyllur profilet e tij në rrjetet sociale. Duket se numri i mesazheve dhe komenteve që i dërgonin ka qenë i madh, aq sa është detyruar t’i mbyllë.

Jo vetëm për ndeshjen e djeshme, por në përgjithësi kohët e fundit, Hysaj ka qenë një nga më të kritikuarit nga tifozët. I pyetur pak ditë më parë rreth kësaj çështje, mbrojtësi i Lazios u përgjigj duke treguar se ka 12 vite në Serie A dhe se i njeh të mirat e gabimet e veta.