Skip to content

O Fadil – a la gjë me gojë baba përpara se të mbyllte sytë? Del historia rrënqethëse e aktorit që na la sot

    Ylli Dylgjeri ka rrëfyer një histori prekëse për Fadil Hasën. Aktori i njohur i humorit u nda sot nga jeta pas betejës me sëmundjen e rëndë.

    Ja postimi i Dylgjerit në rrjete sociale:

    A u mbushën rezervuarët?

    Mu kujtua sot kjo pyetje e bërë afro 30 vjet më parë nga babai i aktorit Fadil Hasa në çastet e fundit të jetës.
    Ishim një grup të rinjsh për ngushëllim në familjen e tij kur Ai ndërroi jetë. Sipas zakonit pasi i jepnim dorën Fadilit uleshin pak çaste e shkëmbenim duhan e muhabet.

    Pyetja që bëhej rëndom ishte : si vdiq, apo nga se vdiq babai? Dhe i pari i shtëpisë tregonte e prap tregonte… Ishte kohë vere dhe zakonisht në regjimin e kaluar vuanim për ujë të rrjedhshëm. Kështu nga thatësirat ishin tharë rezervuarët kudo në hidrocentralet e vëndit. Refreni “JANË THARË REZERVUARËT” e ka shoqëruar këtë popull në vite. Kështu, sqaronte i ndjeri Fadil “sa herë që vinte orari për ti bërë gjilpërën infermierja nuk kishte energji për të zjerë gjilpërat…!”

    Oraret shtyheshin e shtyheshin. I sëmuri bëhej nevrik ndërkohë që propaganda sërisht shtypte sustën: thatësirë e tejzgjatur, ska ujë, rezervuaret janë boshatisur, etj, etj për të qetësuar të sëmurin e shqetësuar.

    – Na kishte ardhur në majë të hundës kjo fjalë- vazhdon Fadili. Ndërkohë, sapo përfundoi së treguari një ngushëllues hidhet dhe e pyet:

    O Fadil – a la gjë me gojë baba përpara se të mbyllte sytë?

    Fadili i lodhur nga tregimi që e përsëriste për çdo kureshtar shpërthen:

    Po, la! E ngriti dhe një herë kokën para se ti dilte shpirti dhe pyeti: A u mbushën rezervuarët, dhe… mbylli sytë.

    Fadili, Artisti i madh i humorit në vite ka mbyllur edhe Ai sot sytë, ndryshe nga i babai në kohë, ka ndruar jetë me rezervuarë të mbushur. 1 herë në 30 vjet edhe mbushen! Reshjet e kësaj vere nuk e lanë të ndjerin të interesohej si i Ati.

    Ngushëllime Familjes.
    I paharruar kujtimi i Tij. /