Nuk njihet nga “EMA”, E vërteta e 50 mijë dozave “Covishield” qe erdhen falas nga India në Shqipëri

190
0

Sot në media qarkulloi lajmi se vaksina “Covishield”, e cila nuk është miratuar nga “FDA” dhe “EMA”, rezulton të jetë injektuar në disa pika vaksinimi, të paktën në Tiranë. Gazetarja Viola Keta nga “Faktoje.al” në një bisedë me gazetaren Jonida Shehu në Radarin Informativ në ABC u shpreh se nga investigimi që kanë bërë u ka rezultuar se këto vaksina janë prodhuar në Indi.

Në javën e tretë të gushtit Ministria e Shëndetësisë thotë se kanë ardhur edhe 50 mijë doza “Covishield”. Filluam të kërkonim ku prodhohet dhe certifikimi. Na rezulton paralelisht edhe nga një kërkim tjetër që po bënim dhe cilat njihen nga ato që janë bërë në Shqipëri, i njëjti informacion na erdhi edhe nga UNICEF.

Këto janë prodhuar në Indi, ka një përdorim të gjerë në Indi dhe Afrikë, mund të ketë edhe në Europë, por nuk është miratuar nga “EMA” dhe “FDA”. “Covishield” nuk njihet nga “EMA dhe FDA” tha Viola Keta.

Por shefja e programit të vaksinimit në ISHP, Erida Nelaj u shpreh se bëhet fjalë për 50 mijë doza dhuratë e qeverisë indiane, e cila ka ardhur vetëm njëherë. Nelaj garantoi efikasitetin e kësaj vaksine duke shpjeguar se është e njëjta patentë si “AstraZeneca”, por “vetëm emërtimet janë të ndryshme”. Por pavarësisht se është nga e njëjta familje, ajo theksoi kjo vaksinë nuk njihet nga “EMA”.

Në vetvete “AstraZeneca” dhe “Covishield”, është e njëjta gjë. Thjeshtë qarkullon me dy emërtime, në Indi është emri “Covishield”, por patenta është e “AstraZeneca”-s. Njihet nga Europa, por “Covishield”, nuk ka aplikuar në Europë. Si me Sputnik dhe Coronavc, që nuk kanë tendencën për të qarkulluar në Europë.

Ne kemi 25 mijë individë që kanë marrë “Covishield”, sepse janë identike, thjesht emërtimet janë për efekt të prodhuesve. Është një lloj, por për “EMA”-ën ndoshta nuk është njëlloj. Për efikasitet është shumë e mirë, por “EMA” nuk e njeh” tha Nelaj.