Nuk ka më ‘tregje Gabi’ në Tiranë, ja ku do të zhvendosen

552
0

Bashkia e Tiranës synon që të grumbullojë të gjithë tregtuesit e veshjeve të përdorura nga tetë zona ku ata ushtrojnë aktivitetin sot nëpër kryeqytet në një treg të vetëm në zonën e Shkozës, pranë banesave sociale (Ish Fonder Mek).

Për këtë arsye, bashkia ka hartuar projektvendimin “Hapja e tregut publik të rrobave të përdorura për nxitjen e vetëpunësimit dhe tregtinë ambulatore të Komunitetit Rom dhe Egjiptian, në adresën rruga Ali Shefqeti, Njësia Administrative Nr.1, Tiranë”.

Sipas relacionit, që shoqëron projektvendimin, aktualisht, bazuar në një kërkim që ka bërë Bashkia, janë identifikuar tetë vende tregtimi të rrobave të përdorura, konkretisht:

-në rrugën e Kavajës, pranë mbikalimit në Unazën e Madhe (më shumë se 200 tregtarë);

-pranë urës te Pallati me Shigjeta (30 tregtarë);

-përballë Farmacisë 10 (50-60 tregtarë);

-në Laparakë pranë Poliklinikës Nr 7 (rreth 50 tregtarë);

-tek Instituti Bujqësor Kamëz (rreth 60 tregtarë);

-Pranë Shkollës së Bashkuar (20-50 tregtarë);

-në rrugën Vath Koreshi (20-30 tregtarë);

-pranë ish Stacionit të Trenit (200 tregtarë).

Në relacion thuhet se tregtimi i veshjeve të përdorura ka qenë shpesh objekt i ankesave të qytetarëve, ndërsa sipas Institutit të Shëndetit Publik përbën një ngarkesë të madhe mikrobiale në mjedis.

Bashkia thotë se ajo nuk synon t’i nxjerrë në rrugë tregtarët, por po u ofron formalizim dhe kushte tregtimi sipas standardeve të lejuara.

Projekti synon ndërtimin e një tregu publik me kapacitet 100-120 tregtarë ambulantë, me një vlerë totale investimi ndërtimi prej rreth 150 mijë dollarë me krijimin e kushteve të përshtatshme për tregtim. Zona më e përshtatshme është menduar në Shkozë, në rrugën Ali Shefqeti, ku Bashkia ka prona të saj

Biznesi i madh i gabit

62% e shqiptarëve deklaruan në Anketën e Cilësisë së Jetës, të realizuar nga Komisioni Europian, se nuk arrijnë që të përballojnë blerjen e veshjeve të reja, më e larta në Europë. Këtë e dëshmojnë dhe importet e veshjeve të përdorura, që arritën në 24 milionë euro në 2017-n në doganë, duke u dyfishuar në krahasim me 5 vjet më parë, sipas të dhënave nga INSTAT. Ndërsa vlera e shtuar e këtij biznesi vlerësohet të paktën tre herë më e lartë, duke arritur në mbi 70 milionë euro.

Biznesi i mallrave të përdorura (kryesisht veshje, këpucë, çanta) u zhvillua menjëherë pas viteve ’90 kur vërshuan ndihmat dhe që mori emrin popullor “gabi”. Më pas, ritmi ra, teksa të ardhurat e konsumatorëve u rritën dhe preferencat u zhvendosën drejt veshjeve të reja.

Por vitet e fundit, tregtia e veshjeve dhe këpucëve të përdorura është “sofistikuar”, duke u zhvendosur nga rruga e fushat në dyqane të mirëfillta (që paguajnë taksa) dhe duke u bërë një prej bizneseve që po përfiton nga kriza. /Monitor.al