«Nuk i bleva asgjë për 2 vite, ja ç’mësuan në fund fëmijët e mi», rrëfimi i nënës kursimtare që po krijon polemika mes prindërve

1151
0

Për shumë njerëz dita e parë e vitit është momenti ideal për të shijuar ngrohtësinë e shtëpisë së mbushur plot, dashurinë e njerëzve më të dashur, por edhe për të bërë ndonjë mëkat të ëmbël (ah, kjo bakllavaja!), përpara se të përcaktojnë pritshmëritë dhe planet e reja për 365 ditët që i presin. Kurse për Katie Musgrave, gruan britanike nga Loddiswell, 1 janari 2017-të ishte dita kur ajo ndërmori një hap shumë të madh: të kursejë për gjithë vitin dhe të mos bëjë më blerje të kota.

Mamaja e tre fëmijëve të quajtur, Eliza, Arianne dhe Daniel u ndje shumë keq kur teksa kontrollonte dollapët e fëmijëve, pa se ishin të tejmbushur me lodra, veshje të shtrenjta dhe libra e ngjyra që ata nuk përdornin më. Nga ai çast, u zotua se nuk do të shpenzonte më as edhe një qindarkë për ta, përveç produkteve të domosdoshme si: këpucë dimërore e verore, ushqim, pelena, apo medikamente. Dhe kështu ndodhi! Gruaja 34 vjeçare jo vetëm që nuk shpenzoi gjatë 2017-ës, por ndoqi të njëjtin ‘’regjim’’ edhe në 2018-ën duke kursyer më shumë se 8000 stërlina.

‘’Tre fëmijët e mi janë arsyeja për të cilën jetoj. Do të bëja çdo gjë që ata të ishin të lumtur, por besoj se paratë nuk blejnë lumturinë e as lehtësojnë detyrat e një prindi. Për mua është shumë e rëndësishme që ata të rriten të shëndetshëm, të edukuar dhe mbi të gjitha të mos bien në kurthin e materializmit. Gjatë gjithë kësaj kohe kam blerë veshje të përdorura për ta dhe veten, nuk u kam blerë lodrat e teknologjisë së fundit, por kemi krijuar së bashku lojëra të reja dhe më besoni, kreativiteti na ka bërë të duam akoma më shuam njëri-tjetrin. Jam e lumtur që e kam bërë këtë gjë dhe do ua këshilloja të gjithë prindërve.’’-përfundon mamaja ”nikoqire” rrëfimin e saj për ‘’Daily Mail”.