Ish-zyrtari demokrat, Fatbardh Kadilli është shprehur i gatshëm të kandidonte për Bashkinë Tiranë, nëse do të merrte një ofertë nga kampi opozitar, të cilët kohët e fundit janë në negociata për të zgjedhur emrin që do të rivalizojë Ogerta Manastirliu.
Gjatë intervistës në “A2 CNN”, Kadilli tha se opozitës i duhen njerëz që kanë shfaqur identitet të fortë që kanë shfaqur pavarësi nga lideri dhe ndershmëri.
“Do isha i nderuar të kisha përgjegjësinë e një sfide të tillë për Tiranën. Por kjo si çdo gjë ka një por. A ka një bashkim të vërtetë? A ka një reflektim të vërtetë? A do arrijmë të bashkojmë të gjithë spektrin opozitar? Nëse këto janë të mundshme, unë do isha i nderuar të kisha një sfidë të tillë per te kandiduar ne bashkine e Tiranes. Nuk është fjala për mua por është fjala për të gjetur një projekt politik përbashkues. Ne sot kemi një PD në degradim në opozitë, kemi disa parti që më saktë janë kryetarë pa parti, kemi edhe një lëvizje radikale majtas. Duhen njerëz që kanë shfaqur identitet të fortë, që kanë shfaqur pavarësi nga lideri dhe ndershmëri”, tha mes të tjerash Kadilli.