Nuk e donin dhëndër për vajzën e tyre, familja greke paguan 2500 Euro për ta vrarë shqiptarin

205
0

Rasti tragjik i vrasjes me pagesë së një shqiptari në Veria, që tronditi Greqinë në verën e vitit 2014, ka dalë sërish në dritë.

Mediat greke shkruajnë se një 48-vjeçar çeçen, i dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Selanikut për vrasjen e një shqiptari, ka apeluar vendimin dhe kërkon lirimin nga burgu.

Historia daton në vitin 2014, kur një 43-vjeçar shqiptar në Greqi u ekzekutua në mënyrë mizore në një krim me porosi, për shkak se prindërit e vajzës nuk e donin për burrin e saj.

Shqiptari, i cili ishte i divorcuar dhe me 2 fëmijë, kishte krijuar lidhje dashurie me një vajzë 30-vjeçare, 13 vjet më të vogël se ai. Të dy ata u martuan në Maj të vitit 2014.

Por prindërit e vajzës, megjithëse kishin një marrëdhënie miqësore më 43-vjeçarin shqiptar në të kaluarën, nuk e kanë miratuar këtë martesë dhe janë përpjekur që ta largojnë vajzën nga ai.

Babai i 30-vjeçares kishte tentuar disa herë të ndante çiftin, duke shkuar në shtëpinë e tyre dhe debatonte me të bijën që të braktiste 43-vjeçarin, pasi sipas tij ai ishte i ‘varfër, më i madh, i divorcuar dhe më dy fëmijë të mitur.

Dhëndri shqiptar, pas shqetësimeve të herë pas hershme nga vjehrri, kishte marrë urdhër mbrojtje në polici dhe babait të vajzës nuk i lejohej që t’ju afrohej.

Në këto kushte, babai i vajzës pajtoi një shtetas çeçen që kishte dalë nga burgu për vrasje kohët  e fundit dhe i kërkoi që të vriste shqiptarin. Për këtë i ofroi 2500 Euro, nga të cilat 1500 ia dha paradhënie dhe pjesën tjetër më pas.

Kështu në gusht të vitit 2014, shtetasi çeçen bashke me nipin e tij 37-vjeçar e mbytën me litar shqiptarin dhe e varrosën në një zonë të pyllëzuar.  Ata fillimisht e rrahën dhe më pas e mbytën me litar.

Pas zhdukjes së tij nisën menjëherë hetimet nga Sigurimi i Imathia. Kamerat identifikuan autorët, të cilët tentuan pa sukses të dokumentonin një alibi, duke pretenduar se në momentin e ngjarjes kanë qenë me persona të tjerë, të tretë, se 1500 eurot ishin huazuar.

48-vjeçari është dënuar me burgim të përjetshëm. Po ashtu me të njëjtin dënim është dënuar edhe vjehrri i viktimës dhe nipi 37-vjeçar i autorit, ndërsa bashkëshortja e 54-vjeçarit me 12 vite burg.