Njohja e pensioneve nga vendet e BE-së, Shqipëria sjell lajmin e mirë

878
0

Gjatë viteve të fundit, Shqipëria ka firmosur një numër marrëveshjesh mbi njohjen e pensioneve me disa vende kyç të Bashkimit Europian.

Megjithatë, marrëveshjet me vendet ku jetojnë më shumë shqiptarë, si Italia, Greqia, SHBA, Kanadaja apo Anglia kanë ngecur.

Në rastin e Italisë, ekziston një dakordësi në parim, për të bërë të mundur njohjen e pensioneve për rreth 240 mijë shqiptarë, që kanë derdhur kontribute të rregullta në këtë vend.

Mbi bazën e ligjit Italian, të gjithë ata që kanë derdhur kontribute për mbi 10 vjet përfitojnë të paktën një pension minimal prej 460 eurosh, i cili pas marrëveshjes mund të tërhiqet edhe në Shqipëri.

Sa i përket Greqisë, negociatat gjatë viteve të fundit kanë qenë më të vështira, për vetë situatën e ndërlikuar financiare që po kalon vendi fqinj.

Për të zgjidhur këtë situatë, Shqipëria për herë të parë ka emëruar një Koordinator Kombëtar për Çështjen e Pensioneve, që është njëkohësisht edhe një prej zëvendësministrave të Punëve të Jashtme.

Kjo risi u bë e ditur gjatë punimeve të Samitit të Dytë të Diasporës, të mbajtur në Tiranë midis dative 28 shkurt-3 mars.

Detyra e posaçme e koordinatorit do të jetë që të shtyjë përpara negociatat, për të bërë të mundur arritjen sa më të shpejtë të kësaj marrëveshje me vendet përkatëse.

Në fokusin e koordinatorit, do të jetë në radhë të parë Italia dhe Greqia, dy vendet me më shumë popullsi shqiptare, por edhe vende të tjera kyçe, si SHBA-të, Kanadaja apo Anglia.

Njohja e pensioneve, do të sillte përfitime të mëdha për të gjithë emigrantët tanë që arrijnë moshën e pensionit, duke shërbyer edhe si një incentivë e rëndësishme për rikthimin e tyre në atdhe në të ardhmen.