Njihuni me Katerinën, New York-ezen që la Amerikën për të jetuar në alpet e Shqipërisë

932
0

Diku libra, një verë e stivosur bukur, karrige karakteristike, një tavolinë me abazhur, elemente këto që nuk prishin qetësinë alpine, por që nuk i shpëtojnë syrit tonë.

Një Borëbardhë ka hyrë në këtë banesë dhe ka ndryshuar bukur vendet e orendive. Sapo ulemi në dhomën e adoptuar si restorant të një hoteli-shtëpi, një zonjë me një shqipe jo shumë të mirë na afrohet dhe na ofron diçka për të pirë. Ajo është Katerina. Me sy të bukur dhe e qeshur, Katerina na duket si një vajzë përrallash. Ajo u dashurua me Valbonën që në çastin e parë dhe jeton aty me princin e saj.
Katerina jeton në Valbonë prej 4 vjetësh. Në lokal kujdeset për gjithçka. Për bërjen e bukës, byrekun, supën e ditës, tavolinat. Shërbimin? Preferon ta bëjë vetë. Katerina merr porosinë dhe na shërben gjatë gjithë drekës. Ajo jeton aty me Alfredin, një malësor, i cili ka ndërthurur më së miri traditën e tij me qytetarinë e Katerinës. Katerina ka jetuar në Nju Jork. Ajo është njohur me Alfred Selimajn gjatë emigrimit të tij për shumë vite në Angli. Një udhëtim i saj drejt Anglisë ndryshoi fatin e më vonë krejt stilin e jetës.
“Alfredi më tregoi gjithçka për Valbonën. Më tha se aty nuk ka makina, rrugë, njerëz të shumtë, pallate, lokale, nuk ka punë, ka vetëm natyrë.”
“E dija mirë se ç’do të shihja” thotë Katerina, duke shtuar se, “Ajo që Alfredi nuk më kishte shpjeguar mirë, ishte sesa i bukur është vendi këtu. Këtë e pashë vetë me sytë e mi kur erdha”.
Vizita e parë në Valbonë e bëri atë të mendohej, aq sa kur u kthye në Nju Jork, bëri gati valixhet dhe u shpërngul përgjithmonë në alpet shqiptare. Ardhja e amerikanes në fshat ka ndryshuar edhe jetën e vendasve. Prej një viti, Katerina, e ndihmuar nga një projekt i huaj, jep gjuhë angleze në shkollën 9-vjeçare të zonës.
“Kam katër vjet që merrem me hotelin dhe restorantin. Është i vogël, lodhem, por kënaqësia që marr nuk ka çmim”, thotë Katerina. Magjia e Valbonës e ka përfshirë kaq shumë këtë grua, sa për të Nju Jorku mbetet një ëndërr e largët.
Nën dritën e hënës Valbona duket si vendi i Kreshnikëve, ndërsa neve na duket vetja si njerëz legjendash. Këtë ndjesi që e fituam në Valbonë, e morëm me vete… shkëputur nga revista Living/ nga Matilda Terpollari