Njerëzit që do të takoni ditën e fundit të aplikimit për Lotarinë Amerikane

560
0

Ah, ëndrra amerikane! Çfarëdolloj gjëje në botë mund të bjerë nën çadrën e “ëndrrës amerikane”. Shanse të barabarta, sukses i pamatë, të bëhesh diçka nga hiçi, të punosh pak e të rrosh mirë. E dini për çfarë e kemi fjalën. Rruga më e shkurtër drejt Amerikës është Lotaria Amerikane dhe meqë ra fjala, afati për të aplikuar përfundoi sot.

Sot, mund të keni takuar atë që u kujtua jo në moment të fundit, por aty pranë, për të dorëzuar aplikimin. Diçka në tru bëri zhurmë dhe i tha që sot mbyllen dyert e Amerikës, kështu që luaj duart, gjej foton e vjetshme, sigurohu që të dy veshët i ke të dukshëm, dhe bëj atë copë aplikimi. Dhe kështu, sa hap e mbyll sytë, kjo fazë mbaroi. Me siguri, harroi të ruante kodin personal. S’ka gjë. Vitin tjetër.

Mund të keni takuar pesimistin, atë që do Amerikën, por s’e do Amerika. Ai nuk aplikon fare dhe i sheh me përçmim ata rreth tij që e bëjnë. Atij nuk “ka për t’i dalë” dhe ai e di. Ndërkohë, gjithë fisi i tij, shoqëria, madje dhe një ish e dashur që deshi kurrë me zemër, kanë zënë vend diku në Cleveland, pijnë kafe bashkarisht në Starbucks dhe bëjnë pazar në Walmart.

Medoemos keni takuar një njeri me superfuqi sot; një korçar, i cili s’bëri asgjë. As u kujtua që sot ishte dita e fundit. Me shumë mundësi, një tjetër korçar e futi në pemën familjare kur aplikoi dhe korçari në fjalë merr vesh në maj që ka kaluar në fazën tjetër. Jetëgjati nuk bëhet jetëshkurtër dhe jo korçari nuk bëhet dot korçar. I heqim kapelen.

Patjetër, familje të ndryshme janë organizuar që të fusin njëri-tjetrin në aplikim. Edhe pse mund të mos jenë korçarë, fatit nuk i dihet. Në mos njërit, tjetrit do i dalë. Dhe ky gushpëllumb fitimtar do të bëjë bashkim familjar me ata që nuk u doli. Procesi është shumë i komplikuar, s’është lojë për ju kjo.

Në rrethin e njerëzve që njihni duhet të jetë dikush që thjesht s’ia ka haberin fare këtyre punëve dhe i tha dikujt që njihte dikë, që është vëllai i dikujt, që demek merr vesh nga këto punë, t’i hedhë Lotarinë. Në atë krah fli, ta ka hedhur. Madje, vetë Presidenti po e shqyrton rastin tënd.

Ca njerëz vonohen thjesht sepse u është bërë ves. Edhe kur janë gati për të dalë, i stisin një punë vetes që të bëhen vonë medoemos. Kanë një reputacion për të ruajtur. Edhe në rastin e Lotarisë nuk ndryshojnë. Foton e kanë bërë që kur doli lajmërimi, madje edhe faqen e aplikimit e kanë bookmark. Thjesht pritën deri ditën e fundit sepse e kanë ves. Ju qofshi.

Dhe sigurisht, ti. Ti që u kujtove kur lexove këtë artikull se sot përfundon afati i aplikimeve dhe TI S’KE APLIKUAR AKOMA. Pse dreqin je kështu? Dhe mami të kujtoi njëqind herë. Tani është shumë vonë dhe dije që na ke zhgënjyer thellësisht.