“Një zog ka ngecur në krah”. Ky ishte mesazhi i fundit nga një pasagjer i aeroplanit që u rrëzua në Korenë e Jugut dhe ku vdiqën të gjithë pasagjerët
SEUL – Mesazhi i fundit i dërguar një anëtari të familjes nga një prej 175 pasagjerëve në bordin e avionit Jeju Air, i cili u rrëzua dhe mori flakë sot në aeroportin Muan (Kore e Jugut) është prekës: “Nuk mund të aterojmë sepse një zog ka ngecur në krah”. Dhe mesazhi vijon me një pyetje drithëruese: “A duhet të bëj një testament?”
Gjithçka ndodhi sot në orën 09.07 të mëngjesit ora lokale në aeroportin Muan të Koresë së Jugut, në provincën Jugore Jeolla (juglindje), rreth 288 kilometra në jugperëndim të Seulit, kur avioni me fluturimin 7C2216 të Jeju Air edhe pse ishte ulur humbi kontrollin dhe u përplas me një mur dhe menjëherë mori flakë duke i marrë jetën 179 personave në bord, pasagjerë dhe ekuipazh. Nga gjithsej 171 njerëz në avion, vetëm dy asistente fluturimi shpëtuan të gjalla.
Pasagjeri e dërgoi mesazhin me KakaoTalk, një aplikacion mesazhesh koreano-jugore. Pastaj komunikimi humbi. Sipas News1 që citon noa.al, mesazhet janë marrë nga familjari që priste pasagjerin në aeroport.
Ndër hipotezat e para të hetuesve pas katastrofës ishte ajo e goditjes së shpendëve. Disa dëshmitarë okularë në terren raportuan gjithashtu se kishin parë flakë që vinin nga një prej turbinave dhe kishin dëgjuar disa goditje të forta, njoftoi agjencia e lajmeve Yonhap.
Videot e transmetuara nga stacionet televizive lokale tregojnë avionin që tenton të ulet pa pasur aktiv mekanizmin e uljes.
Yoo Jae-yong, 41 vjeç, i cili jeton pranë aeroportit, tha se kishte parë një shkëndijë në krahun e djathtë të avionit përpara rrëzimit. “Sapo i thashë familjes sime se kishte një problem me aeroplanin kur dëgjova një shpërthim të fortë,” tha ai.
Një tjetër dëshmitar, i identifikuar vetëm me mbiemrin e tij Cho, tha se ai “pa avionin të rrëzohej dhe mendova se ishte gati të ulej kur vura re një blic drite. Pastaj pati një zhurmë të fortë e ndjekur nga tymi dhe dëgjova një seri shpërthimesh.”
Një tjetër dëshmitar, Kim Yong-cheol, 70 vjeç, tha se avioni dështoi të ulej në përpjekjen e parë, kështu që ai u ngrit për të provuar për herë të dytë pak para përplasjes, duke thënë se dëgjoi një tingull “gërvishtjeje” dy herë rreth 5 minuta para rrëzimit.
Bazuar në gjetjet fillestare, autoritetet supozojnë se pilotët nuk arritën të zgjasin pajisjen e uljes për shkak të goditjes së shpendëve që shkaktoi përplasjen.
Ndërkohë që operacionet e shpëtimit dhe sigurimi i zonës vazhdojnë, zjarrfikësit pohuan se të gjithë personat në bordin e avionit kanë vdekur, përveç dy të mbijetuarve, dy anëtarë të ekuipazhit, të cilët u transportuan në spital.