Skip to content

“Një në 50 shqiptarë në Britani ndodhet në burg”/ “Shpërthen” politikani anglez: Merrini kriminelët tuaj mbrapsht

    Deputeti britanik, Nigel Farage, nuk është përmbajtur në lidhje me emigrantët shqiptarë që ndodhen në Mbretërinë e Bashkuar. 

    Ai i është drejtuar me disa shifra kryeministrit Edi Rama, teksa komentoi intervistën e këtij të fundit për “The Guardian”. Farage i ka kërkuar Ramës të marrë mbrapsht të gjithë shqiptarët e dënuar për vepra penale të ndryshme në territoret britanike. Sipas shifrave të tij, “një në 50 shqiptarë në Britani ndodhet në burg”.

    “Kryeministri shqiptar na kritikon për Brexit-in dhe thotë se Britania është ‘në një vend të errët, duke kërkuar vende për të braktisur emigrantët’. Rama pretendoi se shumë nga ato që themi pas Brexit-it janë bërë ‘krejtësisht të papranueshme, krejtësisht qesharake’. Po ju them diçka, z. Rama, a e dinit se një në 50 shqiptarë në Britani ndodhet në burg? Pra, tregoni pak vullnet të mirë dhe merrini të gjithë nesër, sepse kjo është hipokrizi”– tha ai.

    Ndër të tjera, deputeti anglez ka kritikuar edhe udhëheqësit e vendit të tij për mënyrën se si ka vendosur të ndjekë politikat e emigracionit.

    Në intervistën për “The Guardian”, Rama deklaroi se në Shqipëri nuk do hapen kampe për emigrantët me Britaninë e Madhe, si marrëveshja me Italinë. Ai po ashtu sulmoi kryeministrin Keir Starmer, duke thënë se plani i tij është “i errët”, sespe po kërkon një vend ku t’i “hedhë” emigrantët.