Një grua hidhet nga ura e Bunës/ Policia gjen trupin e pa jetë, dyshohet se së fundmi..

298
0

Qyteti i Shkodrës sërish është përfshirë nga një ngjarje e rëndë, pasi një grua është hedhur nga Ura e Bunës, duke i dhënë fund jetës.

Trupi është gjetur përpara një ore nga policia dhe është transportuar në morg. Policia ndodhet në vendngjarje për të zbardhur shkaqet e ngjarjes së rëndë.

Rreth orës 16:25, shërbimet e Policisë kanë marrë njoftim se një person është hedhur në ujërat e lumit Buna.

Me marrjen e njoftimit, ata kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë dhe me një varkë janë futur në lumë dhe kanë nisur kërkimet.

Policia më pas gjeti trupin e pajetë të gruas, banuese në lagjen “Dobraç”, e cila dyshohet se është vetëhedhur nga ura e vjetër e lumit Buna.

Sipas policisë, nga këqyrja paraprake e trupit të pajetë, nuk janë konstatuar shenja dhune, si dhe nga veprimet e para hetimore dyshohet se ajo vuante kohët e fundit nga depresioni.

Grupi hetimor në drejtimin e prokurorit, vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes së rëndë.

Kujtojmë se më 2 maj Shkodra dhe e gjithë shoqëria shqiptare u trondit kur Alma Arrazi vendosi t’i jepte fund jetës duke u hedhur nga ura e Bunës së bashku me tre fëmijët e saj të mitur.

Për këtë ngjarje është arrestuar bashkëshorti Erdgys Arrazi, i akuzuar se shtyu drejt vetëvrasjes Almën, pasi ai kishte një lidhje jashtëmartesore me një 17-vjeçare.

Dy ditë më parë, Erdgys Arrazi, i dyshuar si shkaktar për vetëvrasjen e gruas së tij, Almës, bashkë me tre fëmijët, u la në burg nga Gjykata e Apelit.

Para togave të zeza, i riu shpërtheu në lot dhe u shpreh se është i pafajshëm, ndërsa tregoi se ende nuk kishte shkuar pranë varrit të tre fëmijëve të ndjerë.

Avokati paraqiti të gjitha dokumentet, që tregojnë se Alma Arrazi vuante nga depresioni dhe për rrjedhojë, vetëvrasjen e ka kryer në kushte të rënduara psikologjike.