Skip to content

Nisin aplikimet për panelet diellore/ Ku dhe çfarë dokumentesh duhet të paraqesin aplikantët familjarë

    Zyrtarisht nisi këtë të martë aplikimi për qytetarët që kanë interes për tu pajisur me panele diellore për ngrohjen e ujit, me financim të qeverisë deri në 70% të shumës. Sipas njoftimit, aplikimi kryhet në faqen zyrtare të eficenca.al

    Hapi i parë është regjistrimi në këtë platformë, ndërsa ka edhe një manual përdorimi nga ana e qytetarëve që kanë paqartësi.

    Për sa i përket dokumenteve që kërkohen, janë 8 të tilla. Nis me një mjet identifikimi, certifikatë familjare dhe pronësie, duhet vërtetim që nuk je debitor në OSHE, faturat e energjisë për 6 muajt e fundit, ndërsa edhe familjet që janë me ndihmë ekonomike mund të aplikojnë, mjafton që të evidentojnë me vërtetimet që janë pjesë e kësaj skeme.

    Të gjitha dokumentet ngarkohen në faqen zyrtare, ndërsa komisioni i ngritur për këtë qëllim duhet për brenda dy ditësh të shpallë ose të skualifikojë aplikantin.

    Parimi është kush aplikon i pari, përzgjidhet i pari.

    Në çdo rast, çdo familjar duhet të ketë marrë dakordësinë e banorëve të tjerë, nëse godina është pallat. Pasi të kualifikohet, qytetari duhet të depozitojë po online mandatin e pagesës për 30% të shumës. Në këtë fazë të parë do të përzgjidhen 2000 qytetarë.

    Më poshtë gjeni listën e plotë të dokumenteve dhe mënyrën se si duhet të aplikoni:

    Letërnjoftim (pasaportë/kartë identiteti);
    Certifikatë familjare;
    Certifikatë pronësie;
    Faturat e energjisë elektrike për 6 muajt e fundit;
    Vërtetim debie nga e-albania që dëshmon se nuk janë debitorë kundrejt OSHEE/FSHU për pagesën e energjisë elektrike, ose janë në një marrëveshje për shlyerjen me këste të detyrimeve të prapambetura;
    Foto në të cilat tregohet qartë pamja e jashtme e objektit ku do të instalohen panelet diellore për ngrohjen e ujit.
    Sipas rastit, dokument që vërteton se janë përfitues të ndihmës ekonomike;
    Formulari e vetëdeklarimit sipas Shtojcës nr. 2.