Nis zbatimi i marrëveshjes/ Procedura dhe dokumentet që kërkohet për konvertimin e patentave shqiptare në Itali

1387
0

Pas një pritjeje të gjatë për përtëritjen e marrëveshjes dypalëshe, duke filluar që sot (10 gusht), në Itali mund të paraqiten kërkesat për konvertimin e patentave shqiptare.

Praktikisht vlejnë thuajse të gjitha kriteret e mëparshme, të vlefshme deri më dhjetor të 2019-tës.
Para së gjithash, duhet mbajtur parasysh që konvertohen patentat shqiptare që janë marrë para vënies së rezidencës në Itali, që këto patenta  mund të përdoren në Itali vetëm vitin e parë të rezidencës, e pas kësaj periudhe, është e mundur të kërkohet konvertimi në italiane, pa dhënë asnjë provim, vetëm gjatë tre vjetëve në vijim.
Duhet theksuar gjithashtu që nuk është e mundur të konvertohen patentat shqiptare të marra ndërkohë që i interesuari është rezident në Itali.

Marrëveshja do të jetë në fuqi deri më 12 korrik 2026.

Procedura dhe dokumentet e nevojshme për konvertimin

Kërkesa e konvertimit duhet bërë pranë një zyre të motorizimit civil duke paraqitur këto dokumente:

– Kërkesa në formularin TT 2112 (që jepet në sportel) i përpiluar dhe i nënshkruar;

– Vetëdeklarimi (në një formular të posaçëm) i rezidencës aktuale dhe i datës (me shënimin e ditës, muajit, vitit) dhe vendit kur është marrë për herë të parë rezidenca në Itali;

– Dëshmia e derdhjes së 32 eurove në llogarinë rrjedhëse postare 4028;

– Dëshmia e derdhjes së 10,20 eurove në llogarinë postare 9001. Mandatet postare të llogarive rrjedhëse të gatshme mund të gjenden në zyrat e postës ose në Zyrat motorizimit civil;

– Patenta shqiptare në origjinal dhe fotokopja e saj në të dyja anët (në çastin e paraqitjes së kërkesës vetëm tregohet, për të tërhequr patentën italiane duhet dorëzuar patenta shqiptare);

– Përkthimi i patentës shqiptare, i bërë nga një përkthyes i betuar, ose nga përfaqësia diplomatike (konsullatat) shqiptare në Itali e në këtë rast duhet të legalizohet më pas në Prefekturë;

– 2 fotografi format tesera, njëra prej të cilave e autentikuar;

– Certifikata mjekësore me pullë-taksë (bëhet në ASL dhe nga mjekë të autorizuar) e gjashtë muajve të fundit;

– Fotokopja e kodit fiskal;

– Fotokopja e lejes apo e kartës së qëndrimit e paskaduar, ose kuponi i përtëritjes.

Përjashtimi

Duke qenë se marrëveshja po nis zbatimin konkret nga 10 gushti por është në fuqi nga 12 korriku, për të shmangur probleme që ndokujt mund t’i sjellë pikërisht kjo vonesë, ministria italiane e transporteve parashikon shprehimisht që do të pranohen kërkesat e konvertimit për “patentat shqiptare me datë skadence në intervalin kohor 12 korrik – 10 gusht 2021, apo kur në të njëjtin interval kohor mbushen 4 vjet nga marrja e rezidencës në Itali” me kusht që kërkesat të paraqiten deri më 31 tetor 2021.

Shkarko Qarkoren e ministrisë italiane të transporteve për Zyrat e Motorizimit Civil mbi konvertimin e patentave shqiptare në italiane /diaspora shqiptare Keti Bicoku/