Një djalë i vogël rreth 3 vjeç është nxjerrë i vdekur nga pishina e një vile në Kefalonia të Greqisë mesditën e sotme, pasi ka rënë në pishinë.
Djali i vogël ra në pishinë, ndërsa prindërit e tij me origjinë nga Sri Lanka po punonin në vilë, gjatë kohës që ndodhi incidenti.
Sipas mediave lokale greke, nëna e fëmijës e vuri re incidentin, por nuk dinte të notonte dhe thirri babain që e nxori pa ndjenja.
Por kur fëmija u dërgua në spital, mjekët nuk mundën ta kthenin në jetë, pavarësisht përpjekjeve të shumta.
Prindërit e fëmijës, sipas ERT-së, janë arrestuar për neglizhencë ndaj një të mituri dhe do të paraqiten në Prokurori.