Ngjarja e rrallë, një pako me florinj në postën e Tiranës

2025
0

Historia e një pakoje të nisur nga Posta e Triestets, që adresohej për në Greqi. Si erdhi në Tiranë dhe çfarë ndodhi me të…

Kjo ndodhi në vitin një mijë e nëntëqind e tridhjetë e ca. Nuk e di mirë. Kur ma tregoi im atë, Micenkoja, isha i vogël, në atë moshë kur interesi përqëndrohet te topi dhe lojrat dhe jo në ngjarje që ledhatojnë shpirtin. Ka vite, me dhjetra, që im atë nuk është më dhe ndoshta vetëm rastësia, apo kërkimi me një vështirësi absolute në arkiva do të mundet të përcaktojë vitin, gjë që nuk e shpresoj.

Babai im punonte në postën e Tiranës, herë-herë edhe në sektorin e kolipoistës, që merret me pakot që vijnë nga jashtë.

Micenko Stamati

Një mbasdite, kur po sistemonte kolitë e ardhura, nga njëra pako e dëmtuar në cep, “rodhën” disa monedha prej ari…

Lexoi destinacionin. Pakoja ishte nisur nga Posta e Triestets dhe adresohej për në Greqi. Ajo erdhi gabimisht në Tiranë. Baba lajmëroi menjëherë drejtorin. E hapën pakon. E gjitha ishte mbushur me monedha ari. Sa? Shumë.

U bë mënjëherë inventari dhe u lajmërua Posta e Triestes, e cila konfirmoi dërgesën, që për ndonjë pakujdesi kishte “ndrruar rrugën” dhe erdhi në Tiranë.

Posta shqiptare e ktheu pakon së bashku me florinjtë brenda në destinacionin nga ishte nisur, ndërsa Posta e Triestes dërgoi një letër falenderimi për gjestin, ku baba im ishte autori./shqiptarja/