Ngjarja e pazakontë ndërmjet turistit dhe shoferit shqiptar

400
0

Nga Ervin Shkulaku

Shumë ngjarje interesante ndodhin edhe ndërmjet turistëve dhe qytetarëve shqiptarë. E tillë ka ndodhur ndërmjet një turisti turk dhe një banori nga Elbasani që nëse nuk do ta qetësonin situatën punonjësit e projektit Smile Albania që po ndihmojnë turistët ndoshta mund të përfundonte edhe në dhunë.

Një turist nga Turqia ishte në Elbasan dhe kishte synim të kalonte në Maqedoni nëpërmjet doganës së Qafë Thanës. E me këtë rast kishte dalë në rrugë dhe i kishte ngritur gishtin e madh makinave të rastit. Aty ndalon një shofer dhe me ato pak fjalë e kishte kuptuar se turisti do të shkonte në Qafë Thanë për të kaluar në Maqedoni.

E merr turistin dhe pas afërisht 1 orë e 30 minuta rrugë mbërrijnë në Qaf Thanë. Turisti e falenderon dhe del nga makina pa paguar asnjë qindarke duke e çuditur edhe shoferin.

Por menjëherë shoferi ka dalë nga makina dhe i ka kërkuar 30 euro turistit por për shkak të gjuhës nuk mundën të kuptoheshin.

E aty pranë kanë qenë edhe pjestarët e projektit Smile Albania që i ndihmuan me përkëthim dhe qetësim të situatës.

Por arsyeja pse turisti nuk dëshironte të paguante e befasoi shoferin. Për të huajt nxjerrja e gishtit në rrugë (gishti që përdorin amerikanët si OK) do të thotë se kërkon udhëtim falas, pra nuk po kërkon taksi ekstra por ndonjë makinë që e ka andej rrugën dhe mund ta ndihmojë duke e marrë.

Por shoferi nguli këmbë duke i dashur 30 eurot ndërsa turisti ka kërkuar të thirret policia për të sqaruar situatën. E shoferi ka qenë pa licencë pasi nuk kishte edhe shenjën e taksisë në makinë u dorëzua duke mos ia kërkuar më pagesën. E megjithatë shqiptari pavarësisht se nuk fitoi asnjë lek ia dha dorën në fund turistit turk.

Si përfundim turisti u largua pa paguar asnjë qindarkë duke e shijuar ditën me fat që kaloi ndërsa shoferi shqiptar u kthye i dëshpëruar.

Shqiptarët si mikëpritës për qindra mijëra turistë duhet të jenë edhe të përgatitur për të lexuar rregullat dhe kulturat e shteteve të tjera.

Ndërsa këtë vit risi është projekti Smile Albania nga Ministria e Mjedisit dhe Turizmit që po ndihmon turistët në të gjitha pikat doganore dhe qytetet turistike.