Skip to content

Nga sot, 1 tetor, rriten pensionet në Shqipëri, por a mjafton kjo shifër për të përballuar jetesën?

    Nga sot, 1 tetor, pensionet në Shqipëri janë indeksuar me 2.5%, që në shifra konkrete do të thotë një rritje mesatare prej 490 lekësh në qytet dhe 296 lekësh në fshat. Por për shumë pensionistë kjo rritje mbetet simbolike dhe nuk mbulon dot rritjen e kostos së jetesës.

    Ekspertja e ekonomisë, Romina Radosniqi, thekson se kjo nuk është rritje reale, por thjesht një barazim me inflacionin e vitit të kaluar, pra me çmimet e rritura. “Nëse shohim shportën bazë, me 500 lekë shtesë një pensionist nuk mbulon asnjë ditë të plotë jetese. Çdo muaj këto shifra duken të vogla, por për pensionistët edhe 10 lekë kanë rëndësi”, shprehet ajo.

    Shqipëria sot ka pensionet më të ulëta në rajon, ndërkohë që çmimet janë krahasimisht më të larta se në disa vende të BE-së. Kjo krijon një kontrast të fortë mes pagave dhe kostos së jetesës. Një pjesë e madhe e të moshuarve, sidomos ata me sëmundje kronike, nuk i përballojnë dot shpenzimet e barnave dhe shpesh mbështeten te fëmijët emigrantë.

    Sipas Radosniqit, problemi kryesor është se skema e pensioneve është prej vitesh në deficit, çka e bën të pamundur rritjen reale të tyre. “Të gjithë politikanët kanë premtuar një pension minimal prej 200 eurosh dhe një mesatar prej 400 eurosh, por kjo nuk është realizuar. Do të ndodhë vetëm kur Shqipëria të arrijë nivele më të larta zhvillimi ekonomik”, shton ajo.

    Ekspertët paralajmërojnë se nëse nuk ndalen emigracioni dhe informaliteti, gjeneratat e reja do të përballen me një krizë edhe më të thellë pensioni. Radosniqi apelon që qytetarët të mendojnë edhe për pensionet private, pasi e ardhmja, sipas saj, do të jetë edhe më e vështirë se e tashmja.