Skip to content

Nga rritja e pensioneve, tek indeksimi dhe shpërndarja e bonuseve, ekspertja zbulon cfarë pritet në vijim..

    Çështja e pensioneve është sërish në qendër të vëmendjes. Ekspertja e ekonomisë, Teuta Nunaj Kortoçi, konfirmoi në një lidhje të drejtpërdrejtë për Klan News se në buxhetin 2025 nuk është planifikuar rritje e pensioneve, por vetëm indeksim dhe shpërndarja e bonuseve – një në pranverë dhe një në fundvit.

    Sipas saj, skema aktuale e pensioneve mbetet e njëjtë me vitet e kaluara, ndërsa pritet që gjatë vitit të hartohet projekti i parë për një reformë të thellë të sistemit. Indeksimi do të llogaritet mbi inflacionin e produkteve të shportës së pensionistëve, që është më i lartë se inflacioni mesatar, dhe pritet të jetë rreth 3% gjatë 2025-s.

    Përsa i përket shpërblimit të fundvitit, Nunaj theksoi se nuk pritet rikthim tek shumat e vjetra 50 mijë lekë të vjetra, por minimumi do të mbetet 10 mijë lekë të reja. Ajo theksoi se ndarja mes pensioneve të ulëta dhe të larta do të vijojë, por pa penalizuar ata që kanë kontribuar më shumë.

    Lidhur me deklaratat politike për rritjen e pensionit minimal në 200 euro, ekspertja tha se kjo mbetet një vendim me bazë politike që kërkon burime të reja ekonomike dhe një sistem të qëndrueshëm. Ajo shtoi se Shqipëria duhet të orientohet edhe drejt zhvillimit të pensione private si kolonë shtesë, në mënyrë që gjeneratat e reja të mos përballen me të njëjtat probleme si pensionistët e sotëm.