Nga jeta luksoze dhe karriera në ngritje, Erion Isai merr vendimin e papritur pas zgjedhjes si kryebashkiak

2339
0

Në shtator të vitit të kaluar Erion Isai së bashku me kolegët e tij, Bes Kallaku dhe Olsi Bylyku, u bënë pjesë e televizionit “Klan” në emisionin “E diela shqiptare”.

Tre aktorët kishin rubrikën e tyre të “BE Caffe” me të ftuar specialë, video gazmore dhe humor. Emisioni rezultoi shumë i suksesshëm, por, me sa duket, tani ai nuk do të vazhdojë të jetë më njësoj.

Pas zgjedhjeve të 30 qershorit, situata ka ndryshuar, pasi Erion Isai u zgjodh kryetar bashkie në Kolonjë, vendlindja e tij, ku është vendosur tashmë për të jetuar me familjen, bashkëshorten dhe vajzën e tyre. Vetëm pak ditë më parë, Erioni dha dorëheqjen nga televizioni “Klan” dhe Teatri Kombëtar i Kukullave, pasi detyra më e rëndësishme për të është posti i kryetarit të bashkisë.

Përgatitjet për fillimin e një jete të re larg televizionit, ai i nisi që kur Partia Socialiste hodhi kandidaturën për kryetar bashkie në qytetin e tij të lindjes. Ai tregoi gjatë një interviste televizive se e sheh të gjithë këtë si një mundësi të mirë për të kontribuar për Kolonjën, vendin ku lindi dhe kaloi 15 vite të jetës.

Nga ana tjetër, aktori zbuloi shpërnguljen atje bashkë me familjen, duke nisur një rrugëtim të ri në jetën e tij. “Gati të shkojmë në qytetin tim, kam gjetur edhe shtëpinë ku do të jetojmë. Do të shkoj unë i pari, të rregulloj shtëpinë e të përgatis terrenin dhe më pas bashkëshortja ime dhe vajza ime stacionohen në Ersekë”, theksoi ai. Në Tiranë ai jetonte në zonën rezidenciale “Kodra e diellit”, sipas Panorama.

Vitet e fundit, Erioni ishte me një këmbë në botën e televizionit dhe teatrit dhe tjetrën në politikë. Si kandidati i PS-së, Erion Isai tregoi rezultatet e zgjedhjeve në Kolonjë. Procesi i numërimit të votave në Kolonjë ka përfunduar dhe aktori i humorit me emocion ka bërë transparente rezultatet e tij.

“Faleminderit Kolonja (4279 zemra)”, shkruante Erion Isai në profilin e tij në “Instagram”. Kujtojmë që Erioni u bë i njohur për publikun si aktor humori i spektaklit “Portokalli”, me rolin e prezantuesit të “Tv Erseka” që komunikonte me teleshikuesit e tij.