Krejt papritur fqinja jonë, 75-vjeçarja Ismete Tabaku u keqësua dhe të afërmit njoftuan djalin e saj të vetëm, Yllin, që prej 6 vjetësh, së bashku me familjen jeton në Amerikë. Ai ka shkuar me një loto amerikane dhe së bashku me dy djemtë dhe bashkëshorten jetojnë në Manhatan, Nju Jork. Sapo merr vesh lajmin, Ylli niset së bashku me dy djemtë e tij në drejtim të Pogradecit. Nënë Ismetja jetoi dhe dy ditë me serume dhe me oksigjen dhe sapo pa djalin e saj dhe dy nipat, mbylli sytë përgjithmonë. Por, në ceremoninë mortore të nënës së Ylli Tabakut ndodhi diçka e papritur.
Ylli, në fjalën e tij në kortezh iu drejtua të pranishmëve: “Vëllezër e motra dhe bashkëqytetarë, që merrni pjesë në varrimin e nënës sime të dashur! Më lejoni që t’i kërkoj falje para varrit të nënës sime hallemadhe, që më përpara ua vramë shpirtin duke i lënë të vetmuara në mes të katër mureve dhe pas vrasjes së shpirtit i sjellim këtu në varreza, duke iu shkurtuar vitet e jetës…”.
Në shpirtin e shqiptarëve po ndodh diçka e padëgjuar më përpara, diçka e rëndësishme po thyhet. Më pas, ai drejton gishtin në një kurorë të madhe me lule, në të cilën shkruhej “Nga djemtë e Amerikës, të cilët nuk i varrosën dot nënat e tyre”. Janë 30 djem pogradecarë, që kur u nisa më lanë amanet të vendos këtë kurorë, në emër të atyre që nuk erdhën dot të varrosin nënat e tyre, sepse ende nuk kanë legalizuar dokumentet. Kjo është drama jonë, tha Ylli, dhe shpërtheu në ngashërim.
Ishte vërtet një skenë prekëse dhe shumë të pranishëm në varrim shpërthyen në dënesë…
Tronditja e Yllit ende nuk është fashitur edhe pse kanë kaluar 3 ditë pas varrimit të nënës së tij. Ylli thotë se, pas pak ditësh do të niset për në Amerikë dhe shokëve të tij, pas vendosjes së kurorës me lule me emrat e tyre, do t’ju çojë nga një grusht dheu nga varret e prindërve. “Edhe këtë ma kanë lënë amanet”, – thotë Ylli. Shkova në varreza me ndihmën e përgjegjësit të varrezave, iu gjeta varret e prindërve të shokëve dhe më pas iu mora nga një grusht dheu secilit, në qese të veçanta dhe emrin e secilit brenda. U vërtita në atë qytezë pa jetë. Varre të mëdhenj, varre të vegjël, varre prej mermeri, prej graniti…varre të mbuluar më shkurre, varre të harruar vetëm me një pllakë të thjeshtë ku ishte vendosur vetëm emri, dhe data e lindjes dhe e vdekjes. Prindër të gjorë, harrojini ato çfarë kini bërë për fëmijët tuaj, harrojini! Ata janë shumë larg, edhe për t’ju vënë një tufë me lule. Ylli iu ndez të gjithëve nga një qiri dhe iu vendos nga një tufë lule…
Ylli kujton atë çast të vështirë të 28 prillit 2001, para 6-vjetësh, kur ai u nis për në Amerikë. Ndarja me nënë atë ditë pranvere, ka qenë shumë e vështirë. Djemtë e mi të vegjël, në gjoksin e nënës që nuk i shkoliteshin.
Jeta pësoi një inflacion të çuditshëm, si ai i lekut. Të gjithë njerëzit donin të iknin, atdheu nuk ishte më brenda nesh. Drejt një jete të re, drejt një kontinenti të ri. Virtytet njerëzore po merrnin përmasa torturuese. Nuk kishte as një varr që mund t’i mbante, madje as i nënës, as i veti… Rendën drejt ëndrrës. Dashuria njerëzore binte si gjethe bulevardeve të huaja…
Por, kush mund të besonte tek zhgënjimi, shqiptari rend në kërkim të vetvetes së humbur. Këtu atdheu i pistë, larg tij, lajmë pjatat e një atdheu të pastër, ku t’i ndonëse je me shkollë të lartë dhe kulturë mbetesh i huaj mallkueshmërisht, duke kryer punë të rëndomta. Befas ne ëndërruam një realitet tjetër, për të flakur varfërinë e tejskajshme: të krijonim pasuri, jo jetë por para, jo për t’iu dashur jetës, por për të qenë vetë jeta, qëllimi i saj. Ne ende nuk e kuptojmë se çnuk duhet të bëjmë dhe ç’duhet të bëjmë…
Bardhyl Berberi
Shekulli
Botuar ne origjinal nen titullin: “Një grusht dheu nga varret e nënave, për djemtë në Amerikë”