Skip to content

“Nga boria tek telefoni..”, rregullat që duhet të keni parasysh që mos gjobiten apo t’ju hiqet patenta

    Këtë të mërkurë në emisionin “Aldo Morning Show” në Tv Klan, ka qenë i ftuar oficeri i Policisë Rrugore, Neri Hunda, ku ka folur më tepër rreth rregullave të qarkullimit rrugor.

    Kjo temë erdhi si pasojë e aksidentit në Durrës, ku një polic u aksidentua në vijat e bardha nga një automjet.

    Efektivi i policisë tha në studion lëvizëse se për shkak të këtij aksidenti, do të ketë një rritje të masave për këmbësorët ose drejtuesit e makinave.

    Atëherë, Drejtoria Vendore e Tiranës, Komisariati i Policisë Rrugore, ka marrë një nismë për të rritur pak masat për këmbësorët, për drejtuesit, për mjetet që nuk respektojnë shpejtësinë në qendrat e banuara. Është një masë me vlerë 10 mijë deri në 40 mijë lekë të reja, për ata që nuk rregullojnë shpejtësinë. Mendoj që duhet rritur disi, edhe masa për mosrespektimin e vijave të bardha të këmbësorëve është një masë e vogël dhe mendoj që duhet rritur e ajo. Mendoj që shoferët janë ndërgjegjësuar disi, 2 vjeçarët e fundit shohim që ka një përmirësim, por ka elementë që vazhdojnë akoma të shkelin kodin rrugor” – thotë efektivi i policisë, Neri Hunda.

    Gjatë emisionit, Aldo, drejtuesi i programit, e pyet policin edhe për disa rregulla të tjera që qytetarët duhet të kenë parasysh, pasi mund të gjobiten.

    • Rënia e borisë

    Polici: Ka sinjalistikë që ndalohet rënia e borisë. Ajo është një masë e vogël, deri në 2 mijë lekë. Mendoj që duhet rritur edhe ajo. Hyn tek pjesa që duhet rritur vlera.

    • Makinat me xhama të zinj

    Polici: Xhamat hyjnë tek pjesa e luksit, kështu që mendoj… shkelësit që janë të përsëritur janë gjobitur vazhdimisht nga ana jonë. Mendoj që duhet rritur edhe vlera e saj.

    • Manovrimet, majtas dhe djathtas

    Polici: Kjo hyn tek shkelja e mosrregullimit, është neni 139 dhe është një vlerë 20 mijë deri në 40 mijë lekë të reja.

    • Telefoni dhe rripi i sigurimit

    Polici: Telefoni është i vazhdueshëm për ne. Është shkelja… 87% të aksidenteve nga telefoni janë. Raste të përsëritura, nëse ke 2 herë shkelje brenda vitit, rasti i tretë, konstatimin e tretë dhe ke automatikisht pezullim me leje drejtimi. 3 muaj.

    Në fund, oficeri i Policisë Rrugore shpjegon që shkeljet në kodin rrugor mbeten në historikun e drejtuesit të mjetit dhe nëse personi kryen një shkelje tjetër, policia e ka të lehtë ta kuptojë sesa gabime ka bërë drejtuesi brenda 1 viti.