Nesër do të filloj punë. Rroga nuk është e keqe..

701
0

Nesër do të filloj punë. Rroga nuk është e keqe, plus që ai shoku im që punoi vjet atje, më tha se dalin edhe bakshishe dhe fundi i muajit është i mirë. 3 muaj nuk janë pak. Lekët që do marr nuk do i mbaj të gjitha për vete. Do jap edhe diçka në shtëpi dhe pjesën tjetër do e mbaj për vete.

Do blej një kompjuter të ri se ai që kam është i vjetër. Kam një shok që mund të ma gjejë me çmim të mirë. Do qeras dhe shokët me rrogën e parë.

Ja fillova. Nuk është aq e vështirë. Është pak vapë dhe nga dreka lodhja ndihet më shumë se porositë nuk kanë të sosur dhe janë të gjithë të uritur. Secili e do pjatën i pari. Klientët në përgjithësi janë të sjellshëm. Ka dhe ca të bezdisur, por unë përpiqem të jem i duruar.

Nuk më besohet që erdhi fundi i ditës së parë. Nuk i ndiej këmbët. Mezi pres të rregullojmë tavolinat e të iki në shtëpi.

Llogarinë e mbylla dhe dola në rregull. Me bakshishe nuk dola keq si për ditë të parë. Tani të rregulloj dhe tavolinat dhe të iki. Është vonë. Po shkon ora dymbëdhjetë.

Ç’është kjo zhurmë?! Kush po zihet?! Kris ma, ar më dhe një go ditje në kraharor.

Vë dorën mbi zemër. E kam të ngrohtë dhe të lagësht. Shoh dorën që prek zemrën. Është e lyer me gja k.

Post Scriptum- Këmbët më dridhen dhe bie në tokë. Tek dritat e restorantit më shfaqen sytë e nënës dhe dëgjoj zërin e saj kur më përcolli në mëngjes- Të priftë e mbara bir!

(Nga Elona Caslli)