Skip to content

Nese zjarri eshte afer shtepise suaj, ja cfare duhet te beni! ISHP jep njoftimin e rendesishem

    Nëse shtëpia juaj gjendet brenda ose në afërsi të pyllit ju duhet :

    Të prisni shkurret e ulëta dhe të pastroni barin e thatë, gjethet, degët e vogla në një diametër prej 20 metrash rreth shtëpisë.
    Të mirëmbani oborrin, të largoni gjethet e thata dhe degët. Mos lejoni që degët të prekin muret e shtëpisë, çatinë apo ballkonin.
    Të mos mbani materiale të ndezshme dhe karburant në afërsi të shtëpisë.
    Të siguroni aparatet përkatëse kundër zjarrit dhe të bëni rregullisht testimin dhe mirëmbajtjen e tyre.
    Të siguroni çezmat me ujë dhe zorrët e ujit me gjatësi të mjaftueshme për të mbuluar fushën të cilën do ta mbroni, si edhe rezervuarët me ujë dhe me pompë joelektrike.

    Nëse zgjerohet zjarri ndaj shtëpisë suaj:

    Mos humbni vetëdijen.
    Të gjitha materialet e ndezshme/ndezëse të cilat gjenden në afërsi të shtëpisë vendosini në vende të mbyllura dhe të mbrojtura, që të mos shkaktoni përhapje më të madhe të zjarrit;
    Mbyllni të gjithë sjellësit për gaz ose lëndë djegëse në afërsi të objektit.
    Bëni të mundur kalimin e automjeteve të zjarrfikëseve.
    Ndizni dritat brenda ose jashtë për t’u shtuar dukshmëria gjatë përhapjes së tymit, nëse dukshmëria është zvogëluar.

    Nëse zjarri është afër shtëpisë suaj:

    Mos e braktisni shtëpinë nëse nuk jeni plotësisht të bindur se keni të tjera mundësi strehimi të sigurt. Mundësia e mbijetesës në objektet e banimit të cilat janë ndërtuar nga materialet e pandezshme është e madhe, prandaj duhet të hyjnë brenda të gjithë anëtarët e familjes, kafshët shtëpiake/bagëtia e imët.
    Mbyllni të gjitha dritaret dhe dyert, bllokoni të gjitha vendet e hapura me pëlhura të njomura.
    Largoni perdet nga dritaret.
    Lëvizni mobiliet në drejtim të pjesës së brendshme të shtëpisë.
    Mbyllni të gjitha dyert brenda shtëpisë.
    Mblidhni rezervat e ujit.
    Mblidhuni të gjithë në një vend.
    Merrni me vete llambat me bateri që do t’u duhen në rast se do të ndërpritet rryma elektrike.

    Kur shuhet zjarri:

    Dilni nga shtëpia dhe menjëherë shuani zjarrin, në vendet e tjera ku ka mbetur.
    Sigurohuni që të gjitha vatrat e zjarrit të jenë shuar, pasi ekziston mundësia e pranisë së zjarreve të vogla në afërsi të ndërtesës apo rreziku i rindezjes.