Një moment prekës u regjistrua në mes të takimit elektoral të kryeministrit Edi Rama në Kavajë, kur ai mori lajmin për ndarjen nga jeta të Papa Françeskut. Kreu i qeverisë ndërpreu fjalimin, hoqi kapelën dhe kërkoi një minutë heshtje për të nderuar Atin e Shenjtë, i cili ndërroi jetë në moshën 88-vjeçare mëngjesin e sotëm.
I prekur thellë, Rama ndau edhe një nga kujtimet më të veçanta nga marrëdhënia e tij personale me Papa Françeskun, duke përmendur një bisedë domethënëse që kishin zhvilluar gjatë një audience në Vatikan.
“Në takimin e dytë në Vatikan, në audiencë me të, e pyes: ‘At i shenjtë, më duket se shumë armiq ke bërë duke thënë gjëra që nuk i ka thënë kurrë një Papë.’ S’e harroj kurrë, më tha: ‘Kryeministër, nëse nuk i them ato që kam për të thënë tani që kam kohën me njerëzit, kur do t’i them dhe kujt do t’ia them? Krimbave? Kur të shkoj në varr?’” – tregoi Rama.
Papa Françesku, i njohur për guximin në qëndrimet e tij publike, thjeshtësinë dhe përkushtimin ndaj të varfërve, vizitoi Shqipërinë në vitin 2014, vetëm një vit pas zgjedhjes si Papë, duke e cilësuar atë vizitë si një përvojë të paharrueshme dhe vendin si një shembull të rrallë të bashkëjetesës fetare.