Nëse e doni Shqipërinë dhe doni ta shpëtoni atë, bëjeni një fëmijë!

793
0

Shqipëria nuk është as e para dhe as e fundit që po pëson tkurrje në popullatë. Vende të tjera, në Evropë e më gjerë, po zvogëlohen sikurse Shqipëria. Rritja natyrore e popullsisë ka nisur të ulet ndoshta 50 vjet më parë, si fillim në Evropën Perëndimore – Britania e Madhe, Holanda, Belgjika – për t’u shtrirë më pas në vitet 1990, kur dukuria u përhap edhe Evropën Lindore, përfshirë edhe vendin tonë. Kështu, në vitin 2016 në Shqipëri, në 1000 banorë, lindnin 12 fëmijë, krahasuar me 41 fëmijë që lindnin në vitet ‘60.

Ndërsa në rend botëror, në fund të klasifikimit qëndron Japonia dhe Gjermania me 8 lindje për 1000 banorë, më tej vendet me 12 lindje për 1000 banorë, ndërkohë Nigeria qëndron në krye me 50 fëmijë për 1000 banorë, e ndjekur nga Mali me 47 fëmijë dhe Angola me 45 fëmijë. Ky klasifikim rrëzon një nga tezat se, paraja është shkaku i lindjeve të pakta. Sepse, rezulton që në vende të varfra si  Mali apo Angola e Nigeria lindshmëria është mjaft e lartë.

Duke parë tendencën e popullsisë në rënie, disa vende kanë gjetur slogane intriguese dhe nxitëse, në përpjekje për të nxitur lindjen e sa më shumë fëmijëve dhe parandaluar plakjen e popullsisë. E nga ana tjetër, autoritetet qeveritare të këtyre vendeve kanë ndërmarrë politika ekonomike e financiare për të ndihmuar familjet me shumë fëmijë dhe nxitur çiftet e reja për të bërë sa më shumë fëmijë.

Kështu, në Poloni, një nga vendet evropiane me numrin më të vogël të lindjeve, qeveria është përpjekur të gjejë një slogan intrigues. “Dëshironi të bëheni prindër? Bëni fëmijë si lepujt”. Ky është apeli, jo pak i çuditshëm, i fushatës më të fundit të ndërmarrë nga qeveria polake. Edhe pse ky apel ka shkaktuar  polemika dhe reagime të shumta në vend, për shkak edhe të kostos së këtij spoti – 642 mijë euro – qeveria ka shpjeguar se synon vetëm rritjen e numrit të lindjeve dhe ndalimin e plakjes së popullatës polake.

Vetë ministri polak i Shëndetësisë ka shpjeguar se, qeveria po përpiqet të inkurajojë polakët në moshë riprodhuese – 18 deri në 45 vjeç- që të bëjnë një jetesë të shëndetshme. Duket se qeveria polake po studion edhe mundësinë e mbështetjes financiare për të mundësuar lindjen e fëmijëve nëpërmjet fekondimit artificial për çiftet që kanë probleme riprodhimi.

“Lindni sa më shumë fëmijë, paguan qeveria”. Maqedonia fqinje ka zgjedhur këtë slogan për të nxitur lindjen e sa më shumë fëmijëve në vend. Qeveria duket hapur se është e shqetësuar, më së shumti, për uljen e lindshmërisë së maqedonasve.

Sipas një projekti qeveritar për fekondimin artificial, të hyrë tashmë në fuqi, qeveria i financon tërësisht çiftet për lindjen e një fëmije të dytë. Ndërkohë, ka dhe një ligj që është në fuqi, sipas të cilit, qeveria u jep afro 8 mijë dinarë çdo muaj familjeve për fëmijën e tyre të tretë.

Danimarka ka një slogan që konsiderohet “patriotik”. “Nëse nuk do të kesh fëmijë për familjen tënde, bëje për Danimarkën”. Ky është slogani që u drejtohet danezëve, banorëve të vendit të vogël nordik, që po regjistron prej vitesh nivel të ulët të lindshmërisë, 1.73 fëmijë për një çift.

Në Singapor, edhe ky një tjetër vend me nivel më të ulët të lindshmërisë në botë – vetëm 0.81 fëmijë për një çift, organizohet “Nata Kombëtare“, e shpallur si e tillë më 9 gusht 2012 nga qeveria. Në këtë Natë, çiftet nxiten “të shpërthejnë patriotizmin e tyre”.

Po kështu, qeveria ka vendosur në dispozicion një numër të vogël apartamentesh me qira, për të inkurajuar njerëzit të jetojnë së bashku dhe të riprodhohen. Sa u përket shifrave, qeveria e Singaporit shpenzon çdo vit afërsisht 1.6 miliardë dollarë në programe për t’i bërë njerëzit të bëjnë më shumë dashuri.

Italia, me nivel lindshmërie prej 1.43 fëmijë për grua, shumë më poshtë mesatares evropiane prej 1.58, ka marrë një qasje të diskutueshme për të inkurajuar qytetarët që të kenë më shumë fëmijë. Autoritetet kanë publikuar një sërë reklamash që u kujtojnë italianëve se koha mund të mbarojë dhe se fëmijët nuk vijnë nga askund. “Bukuria nuk njeh moshë, lind pjellori”, thotë një reklamë. Ndërsa një tjetër fton italianët të jenë më të gjallë: “Bëhu energjik! Mos prisni për lejlekun”.

Autoritetet shqiptare duhet të gjejnë një slogan, sikurse shumë vende, për të nxitur çiftet bashkëshortore të bëjnë fëmijë, në kushtet kur vendi po tkurret nga viti në vit. Këtë vit, INSTAT nuk tha asgjë më shumë se çfarë ka shkruar në statistikat e viteve të shkuara: Shqipëria po zvogëlohet! Ndaj, nëse e doni Shqipërinë dhe doni ta shpëtoni atë, bëjeni një fëmijë!

Slogane

Poloni / “Dëshironi të bëheni prindër? Bëni fëmijë si lepujt”

Maqedoni/ “Lindni sa më shumë fëmijë, paguan qeveria”

Danimarka / “Nëse nuk do të kesh fëmijë për familjen tënde, bëje për Danimarkën”

Italia / “Bëhu energjik! Mos prisni për lejlekun”