Nëna i braktisi pasi babai ndërroi jetë, vëlla e motër bëjnë apelin drithërues

5060
0

Stejsi dhe Besjada janë vetëm 16 dhe 14 vjeç por bëjnë një jetë ndryshe nga bashkëmoshatarët e tyre.

Tre vite më parë babai i ndërroi jetë, duke e lënë familjen në kushte tepër të vështira. Por hallet për motër e vëlla nuk do të mbaronin me kaq. Para 3 muajsh nëna i braktisi, duke i lënë të vetëm dhe të rrënuar duke shkëputur çdo kontakt me ta.

Besjada jeton në fshatin Trashovicë në Gramsh së bashku me gjyshin e sëmurë, në një shtëpi gati të rrënuar dhe pa asnjë kusht. Të ardhurat e vetme vijnë nga pensioni i gjyshit prej 100 mijë lekë të vjetra.

Ndërkohë, Stejsi qëndron në konvikt në Elbasan, ku vazhdon shkollën e mesme profesionale për elektricist. Mes vështirësive të shumta, ai ka zgjedhur ta vazhdojë sepse babai i la amanet të kishte një zanat. Por, nga kushtet e këqija ai rrezikon ta lërë shkollën. Janë dy fëmijë të cilët janë krejt të vetëm dhe kanë nevojë urgjente për ndihmë.

“Po të ishin të dy prindërit jeta jonë do të ishte shumë ndryshe. Babi vdiq nga një aksident. Kurse mami na ka lënë para 3 muajsh, ka ikur. Kemi provuar ta marrim në telefon, por ajo i ka bllokuar numrat. Nuk e marrim dot, por as ajo nuk na merr. Kam ëndërr të mbaroj shkollën dhe më pas mund të gjej ndonjë punë. Shkollën unë e vazhdoj për elektricist dhe librat nuk i kam marr akoma. Sepse duhen lekë për t’i blerë. As motra nuk i ka të gjithë librat, vetëm gjysmat ato çfarë i dha Bashkia. Rrobat që vesh mi kanë dhënë, sepse nuk kam mundësi që t’i blej.”

Besjada, e vetme i duhet të mbajë shtëpinë, të kujdeset për gjyshin dhe të shkollohet. E tremb e ardhmja, sepse nuk e di çfarë do të bëhet me të.

“Paradite më duhet të shkoj në shkollë, ndërsa pasdite më duhet të vij në shtëpi. Të bëj për të ngrënë, të kujdesem për gjyshin dhe të bëj punët e tjera. Më pas kur më ngelet kohë, mundohem të bëj mësimet. Është shumë e vështirë që t’i bësh gjithë këto gjërat vetëm. Nuk kam asnjë mbështetje, asnjë njeri që të më rrijë afër. Gjyshi është 88 vjeç dhe ai nuk mund të jetë përgjithmonë. Ndaj kam frikë se mos mbetem vetëm.”

Ndërkohë, gjyshi i të rinjve me zërin që i dridhet lutet që të gjendet një strehë për nipin e mbesën e tij. Pasi kushtet e shtëpisë që kanë janë skandaloze dhe i rrezikohet jeta. 14-vjeçarja thotë se tashmë që fillon edhe dimri e shirat janë më prezent, gjithçka hyn brenda në shtëpi. Duke ia bërë të pamundur jetesën.

“Në shtëpi gjendja është shumë e vështirë, kam shumë frikë që të rri këtu. Sidomos natën. Dritaret janë të thyera dhe mund të hyjnë akrepat, nepërkat. Tavani është i çarë dhe kur bie shi, hyn i gjithi brenda. Shtëpinë e kemi pa pllaka, tavani është i çarë  dhe natën mund të na bjerë në kokë.

Nuk dihet, jemi në dorë të Zotit. Rrugën për të dalë në qytet e kemi shumë larg, është 1 orë në këmbë. Kemi dhe një përrua  afër dhe kur bie shi, nuk kalohet. Nga njerëzit kërkoj një ndihmë, sado që të vogël. Që të na plotësohen disa kushte, sa për të jetuar pak më mirë. Se kështu si jemi nuk jetohet dhe është shumë larg.”

Rasti i rëndë është publikuar nga fondacioni “Fundjavë Ndryshe” i cili bën thirrje për t’i ardhur në ndihmë këtyre dy fëmijëve. Të cilët kanë nevojë për një fije shpresë, se dhe për ta jeta mund të jetë e bukur./ TIRANA TODAY