Nëna denoncon djalin e saj “spaçiator” në polici: E kuptova se vishte rroba firmato

710
0

Kjo është historia e një nëne trimëreshë nga Dragona, pasi denoncoi djalin e saj i cili ishte bërë shpërndarës droge në shërbim të bandave të Ostia-s.

Ajo denoncoi djalin 17-vjeçar, i cili ishte bërë një shpërndarës droge në shërbim të bandave të Ostia-s. Dhe me veprimin e saj i dha mundësi policisë të shkatërronte një bandë shpërndarësish droge që priste klientët në shtëpi, në dy pallate për banesa sociale, në pronësi të Bashkisë, të zëna pa leje, në rrugën Antonio Forni dhe në rrugën Marino Fasan, rrugë që fatkeqësisht janë bërë simbole të krimit të organizuar të lagjes.

Gruaja nga Dragona u kthye në heroinë të hetimit të kryer nga agjentët e komisariatit Lido që kanë dhënë shtatë masa parandaluese të nënshkruara nga gjyqtarja Giulia Arceri.

Rrëfimi dramatik i bërë nga nëna e shpërndarësit të mitur të drogës para hetuesve:

“Jam paraqitur në këto zyra për t’ju njoftuar se djali im që nga nëntori 2023 është bërë anëtar me të drejta të plota i një grupi kriminal të angazhuar në shpërndarjen e substancave narkotike. Dua të sqaroj se gjithçka që po ju them më është rrëfyer nga vetë djali im. Ai më tha se ishte rekrutuar nga një shok i tij për të shpërndarë kokainë brenda një apartamenti në rrugën Forni”

Nga deklaratat e gruas, policia ka zbuluar se strofulla e shpërndarësve ishte e mbrojtur nga një grilë metalike nga ku klientët merrnin drogën dhe brenda qëndronte një burrë dhe dy gra të angazhuara në shitjen e kokainës. Gjithashtu kishte edhe roje për të kontrolluar kontrollet e mundshme të policisë.

Një punë me turne, nga mesnata deri në orën tetë dhe nga ora 16 deri në mesnatë, e kryer edhe nga djali që fitonte 3 euro për çdo shitje. Pra, edhe 100 euro në ditë, pasi shiste kokainë më shumë se 30 herë për çdo turn.

“Kam vërejtur një ndryshim rrënjësor në nivelin e jetesës së djalit tim, i cili kohët e fundit blen rroba të markës dhe çdo mbrëmje shkon në restorante duke shpenzuar shuma të konsiderueshme parash”,-rrëfen e shqetësuar nëna. “Kohët e fundit, rreth orës 23:30, vjen e merr në shtëpi një shok i tij me makina me qira që i ndryshon shpesh dhe e çon deri në apartamentin në rrugën Forni”

Shumë prova të marra nga policia konfirmuan versionin e gruas, bazuar edhe në deklaratat e klientëve të marrë në pyetje pasi u ndaluan në rrugë pas blerjes së dozave të kokainës, gati për t’u konsumuar.

Midis tyre ishin edhe persona që pranuan se kishin filluar të përdornin drogë për shkak të një vdekjeje në familje ose sepse po kalonin një periudhë të ndërlikuar personale ose në punë. Përveç arrestimit të shtatë personave të përfshirë në trafikimin e drogës, pesë prej të cilëve janë në arrest shtëpie, gjykatësi gjithashtu urdhëroi sekuestrimin e dy apartamenteve të përdorura për trafikim.