Shkarkime në strukturat e PS-së/ Emri që zëvendëson Valdrin Pjetrin

751
0

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar ditën e sotme në Lezhë një takim me drejtuesit e qarqeve veriore të Partisë Socialiste. Burime bëjnë me dije për gazetaren e Report Tv Klesiana Omeri se në këtë mbledhje Rama ka udhëruar shkarkimin shumicës së drejtorëve rajonalë në qarkun e Shkodrës.

Ditën e nesërme në orën 17:00 Rama do të zhvillojë një takim me drejtorët e qarkut të Shkodrës, ndërsa në orën 18:00 do të mbledhë edhe kryesinë e PS ku do të vendoset caktimi i drejtuesit të ri politik në qarkun e Shkodrës. Ky vendim vjen pas largimit të Valdrin Pjetrit nga posti i koordinatorit të qarkut të Shkodrës dhe tërheqjes së tij nga marrja e postit të kryebashkiakut në këtë qytet.

Mësohet se procesi i shkarkimit dhe emërimit të drejtorëve do të ndiqet nga deputeti socialist Luan Harusha, i cili mund të jetë edhe një emër i mundshëm që do të zëvendësojë Pjetrin në postin e koordinatorit politik të kryeqendrës së veriut.

Në mbledhje Rama ka folur edhe për ndryshimet që do të pësojë ligji i dekriminalizimit, duke marrë shkas nga rasti i Valdrin Pjetrit. Kreu i qeverisë është shprehur edhe më herët se ky rast do të shërbejë për të ndryshuar ligjin, në mënyrë që të përcaktohen afatet e verifikimit shtetëror të kandidatëve.

Pjetri akuzohet nga PD se ka qenë i dënuar në Itali dhe këtë fakt e ka fshehur në formularin e dekriminalizmit përpara kandidimit për postin e kryebashkiakut të Shkodrës. PD ka publikuar disa dokumente nxjerrë nga kuestura e Firences, që tregon se kryebashkiaku i Shkodrës Valdrin Pjetri ka qenë dënuar në Itali me 18 muaj burg dhe një mijë euro gjobë për shpërndarje droge.

Pjetri i ka mohuar edhe akuzat ndaj tij, ndërsa në një reagim publik kryeministri Edi Rama është shprehur se deri kur e vërteta ligjore të dalë, Valdrin Pjetri dhe Partia Socialiste i kanë rrugët e ndara plotësisht.

Në mbledhje kryeministri ka kërkuar edhe një verifikim të IKMT, bashkive dhe policisë në gjithë vijën bregdetare për ndërtimet e paligjshme. Rama është ndalur veçanërisht tek bashkitë që kanë qenë drejtuar nga Partia Demokratike duke u rikujtuar kryebashkiakëve të rinj që të mos largojnë njerëzit nga puna. Po ashtu një fokusim të gjerë në takimin e mbajtur jashtë ‘syrit’ të kamerave është folur edhe për administratën duke thënë se duhen persona të kualifikuar.

Në takim ka qenë i pranishëm edhe kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla i cili është shprehur se regjistrimi elektronik i anëtarësisë duhet të kryhet brenda datës 5 shtator, ndërsa kryetarët e organizatave socialiste duhet të zgjidhen deri në 16 tetor, ku duhet të përfshihen njerëz me integritet./shqiptarja/