Aksioni në Shkodër, kush janë 4 ‘të fortët’ e kapur në aksionin e RENEA-s, mes tyre Ilir Bajri (EMRAT)

680
0

Policia e Shtetit bëri publik sot emrat e katër të arrestuarve nga aksioni i një dite më parë në qytetin verior pas kontrolleve në lagjet Kiras dhe Dobraç, aksion ky i ndërmarrë pas vrasjeve të njëpasnjëshme. Policia thotë se ka mbledhur të dhëna në rrugë informative për ta, por edhe i ka përgjuar për të arritur në konkluzionin që ishin pjesë e klaneve kriminale që vepronin në qytetin e Shkodrës.

Mes të arrestuarve rezulton të jetë një person i fisit Bajri, Ilir Rustemi (Bajri), 42 vjeç, lindur e banues në Dobraç, Shkodër, i njohur për disa vepra kriminale. Po ashtu në sy të bie emri i Astmer Bilalit, 29-vjeç ish-kampion boksi, emri i të cilit u përmend një natë më parë nga gazetari Artan Hoxha. Hoxha tha se dyshohet që Bilali të ketë qënë shënjestra e sulmit ku mbeti i vrarë biznesmeni Arjan Ferracaku.

Ilir Bajri dhe Astmer Bilali, sipas burimeve nga Ministria e Brendshme kanë qënë prej disa muajsh në përgjim nga uniformat blu. Ata janë mbajtur në vëzhgim dhe janë vendosur përgjues ambjental ku rezulton se janë pjesë të një grupi te rrezikshëm kriminal në qytetin e Shkodrës.

Pjesë e të arrestuarve është edhe Erogen Vaso Brajoviç, 36 vjeç, i lindur dhe banues në Shkodër. Vaso është një emër i njohur në Shkodër për shkak se ka qenë anëtar i këshillit bashkiak, por edhe i përfshirë në vepra kriminale. Fillimisht ka qenë këshilltar bashkiak me Partinë Bashkimi për Drejtat e Njeriut, që drejtohet nga Vangjel Dule. Edhe në rrjetet sociale qarkullojnë foto të Erogen Vasos në shoqërinë e Dules.

Erogen Brajoviç dhe Vangjel Dule

Në vitin 2007-të ai është akuzuar për veprën penale të “shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për përfitim të pasurisë”, e njohur ndryshe si gjobëvënie. Por pas kësaj akuze, Erogen Vaso është “rehabilituar” duke iu futur politikës.

Ndërkohë përveç 4 të arrestuarve, Policia ka sekuestuar edhe 6 makina të blinduara, 2 kallashnikov, 1 psitoletë, 800 fishekë, veshje antiplumb, lojra fati dhe 10 500 euro.

Policia dhe Prokuroria refuzon të bëjë publike akuzat që janë ngritur ndaj 4 të arrestuarve, pasi ende nuk janë mbledhur të gjitha provat që tregojnë implikimin e tyre në vrasjet që kanë ndodhur në Shkodër.

Të arrestuar janë :

• Ilir Rustemi (Bajri), 42 vjeç, lindur e banues në Dobraç, Shkodër;

• Emrah Plaku, 22 vjeç, lindur e banues në Shkodër;

• Astmer Bilali, 29 vjeç, lindur e banues në Shkodër;

• Erogen Brajoviç, 36 vjeç, lindur e banues në Shkodër;

Arrestimi i pjestarëve të grupeve kriminale në Shkodër bëhet në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”. Pas një hetimi intensiv disa mujor mbi veprimtarinë e grupeve kriminale në qarkun Shkodër, si dhe në funksion të hetimeve të ngjarjeve të fundit kriminale të ndodhura në këtë qytet, Policia e Shtetit, përkatësisht Drejtoria Vendore e Policisë, Departamenti i Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme, Forcat speciale RENEA, FNSH, Trupat e posaçme operacionale në bashkëpunim me Organin e Prokurorisë, kanë arritur të ndalojnë dje në qytetin e Shkodrës disa elementë me rrezikshmëri shoqërore të lartë, anëtarë të grupeve kriminale aktive në këtë territor, por edhe me gjërë.

Veprimtaria hetimore disa mujore e Policisë së Shtetit e zhvilluar në këtë kuadër ka konsistuar në përgjimin, ndjekjen dhe gjurmimin e këtyre elementeve kriminal si dhe mbledhjen e të dhënave në rruge operative me qellim evidentimin sa me të plotë dhe sa me të qartë të veprimtarisë kriminale të personave të dyshuar për kryerjen e kësaj veprimtarie.

Bazuar në 19 urdhra kontrolli të miratuar me vendim gjykate Policia e Shtetit ushtroi kontrolle në 20 banesa e lokale tregetare të perdorura prej personave të dyshuar si anëtarët të grupeve kriminale.

VIDEO/Deklerata e plotë e zv/Drejtores së Policisë për aksionin në Shkodër

Një ditë më parë, Reparti i Forcave Speciale RENEA dhe FNSH zhvilloi aksionin në dy lagjet problematike të Shkodrës, Dobraç dhe Kiras pas ngjarjeve të fundit kriminale me disa të vrarë. Në vijim të aksionit, janë sekuestruar automjete luksoze të blinduara si dhe janë shoqëruar disa persona, të dyshuar se kanë lidhje me ngjarjet e fundit. Automjete te sekuestruara janë në përdorim të familjeve Lici dhe Bajraj.

Vetëm në muajt e verës në Shkodër janë vrarë 6 persona dhe 2 të tjerë janë zhdukur, për të cilat opozita akuzoi se bandat bashkëpunojnë dhe mbrohen nga pushteti, por shumica i kujtoi Bashës se kur ishte ministër i Brendshëm në 2010 në Shkodër pati 18 të vrarë.shqiptarja.com