Një turist çek i cili u aksidentua me motoçikletë në zonën malore të Librazhdit është transportuar sot me helikopter drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë.
Policia e Shtetit thotë se turisti në fjalë ka pësuar disa fraktura në trup, por fatmirësisht tani është jashtë rrezikut për jetën. Ai po drejtonte motoçikletën së bashku me një grup turistësh, por aksidentalisht u rrëzua dhe përfundoi në përroin e Cirovës, një zonë kjo malore, pranë fshatit Rinas.
Njoftimi i policisë:
Policia e Shtetit dhe Ministria e Shëndetësisë në ndihmë të turistit Çek. Transportohet në kohë reale me helikopter turisti çek që u rrëzua me motoçikletë në përroin e Cirovës, në zonën malore të fshatit Rinas të Librazhdit.
Rreth orës 19:00, një grup turistësh çekë, po përshkonin me motorr rrugën malore mbi fshatin Rinas të Librazhdit, që lidhet me Shëngjergjin. Njëri prej tyre shtetasi R.K, 53 vjeç, ka humbur kontrollin e motoçikletës dhe ka dalë nga rruga, duke rënë në përroin e Cirovës.
Turistët kanë njoftuar në numrin 112, Sallën operative të Librazhdit dhe menjëherë në drejtim të tyre është nisur një patrullë policie dhe autoambulanca. Si pasojë e terrenit të vështirë, transportimi me autoambulancë ishte i pamundur dhe në këto kushte, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka komunikuar me Ministrinë e Shëndetësisë për të dërguar një helikopter.
Menjëherë helikopteri i shëndetësisë është nisur në drejtim të vendit të ngjarjes duke bërë të mundur transportimin në kohë për në Spitalin Ushtarak të shtetasit çek, i cili kishte pësuar fraktura, në trup, jashtë rrezikut për jetën.
Ambasada çeke në Tiranë dhe grupi i turistëve kanë falënderuar Policinë e Shtetit dhe Ministrinë e Shëndetësisë për reagimin në kohë, duke i shpëtuar jetën turistit çek.