Ndryshon sërish cmimi i naftës, ja sa do të shitet nga sot

160
0

Vetëm një ditë pasi publikoi çmimet e reja të karburanteve, Bordi i Transparencës i rishikoi sërish ato, duke ulur me 4 lekë çmimin e naftës dhe me 1 lek atë të benzinës. Publikimi i çmimeve të reja dy herë brenda dy ditësh vjen pas disa javësh kur nuk kishte asnjë lëvizje dhe ndërkohë që në sheshin para godinës së kryeministrisë zhvillohej protesta e opozitës.

Çmimi i shitjes me pakicë i naftës, jo më shumë se 223 lekë/litri (ishte 227), ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 211 lekë/litër (ishte 215).

Çmimi i shitjes me pakicë i benzinës, jo më shumë se 209 lekë/litri (ishte 210), ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 197 lekë/litër. (ishte 198).

Çmimi i shitjes me pakicë i gazit, të jetë 74 lekë/litri me pakicë (nuk ka ndryshuar) dhe i shitjes me shumicë 62 lekë/litër për automjetet. (nuk ka ndryshuar).

Çmimi i gazoilit për peshkim është vendosur  130 lekë/litër.

Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi në datë 13 nëntor, ora 12.00, dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

“Referuar të dhënave lidhur me bursën Platts të datës 11.11.2022, kemi ndryshime të çmimit nga ai përcaktuar në mbledhjen e fundit, konkretisht rezulton se çmimi (FOB/MED $ Ton) i Benzinës është 979, + 22 nga data 11.11.2022, $/ Ton, ndërsa çmimi i Gazoilit/Diesel është 1028, +5 nga data 11.11.2022, $/Ton. Kursi i këmbimit i BSH ka pësuar një ulje në 114.38 (- 3.65 nga data 11.11.2022)”, thuhet nw njoftimin e bordit.

“Bordi i transparencës që në krijimin e tij i është përmbajtur me përpikëri në vendimet e tij lëvizjes së bursës Platts të Mesdheut për gazoilin, benzinën, si dhe faturave zyrtare të operatorëve.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ndjen detyrimin të sqarojë opinionin publik se jo çdo lëvizje e bursës së naftës bruto reflektohet në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën masë në bursën e gazoilit dhe benzinës”.