Shqipëria po hyn në një periudhë me rritje graduale të temperaturave, pas mëngjeseve mjaft të ftohta të ditëve të fundit. Edhe pse sot në zonat e thella malore termometri ka zbritur deri në -7 apo -8°C, gjatë ditës vlerat termike janë rritur ndjeshëm, si në mëngjes ashtu edhe në mesditë, me 4 deri në 5 gradë më shumë krahasuar me ditët e mëparshme.
Gjatë ditës së sotme moti paraqitet pa reshje në të gjithë territorin. Kthjellimet janë më të dukshme në jug dhe lindje, ndërsa vranësira më të shpeshta mbeten në veri, veriperëndim dhe zonat qendrore të vendit, përfshirë edhe Tiranën.
Për ditët në vijim parashikohet mot kryesisht i qëndrueshëm dhe relativisht i ngrohtë për stinën. Të mërkurën dhe të enjten do të dominojnë kthjellimet dhe vranësirat e lehta kalimtare, ndërsa temperaturat minimale do të rriten gradualisht, duke u ngjitur rreth -4°C në zonat malore dhe deri në 11–12°C në zonat e ulëta dhe bregdetare. Temperaturat maksimale do të arrijnë 15–16°C.
Nga e premtja dhe sidomos gjatë fundjavës, rritja e temperaturave bëhet më e ndjeshme. Të shtunën priten maksimume pranë 18°C, vlera mjaft të larta për muajin janar. E diela sjell shtim të vranësirave dhe mundësi për reshje të pakta, kryesisht në veri dhe veriperëndim. Në zonat malore reshjet do të shfaqen në formë dëbore, ndërsa në ultësirë dhe bregdet do të jenë reshje shiu.
Në tërësi, moti i ditëve në vijim do të karakterizohet nga temperatura më të larta se normalja e kësaj periudhe, me reshje të pakta dhe të izoluara vetëm në fundjavë.