Ndërsa po promovohen fort rritje pagash të pritshme në administratë, qeveria paralelisht po përpiqet të nxjerrë sa më shumë lekë nga taksat.
Një ndryshim tjetër ligjor, synon të mbledhë taksa edhe nga pasuritë e trashëguara. Ndaj nëse jeni apo bëheni pronar i një pasurie të patundshme që mund të jetë shtëpi, objekt biznesi, tokë truall ose tokë arë, etj. dhe këto janë trashëgimi apo dhurim nga familjarë apo persona të tjerë, të gjithë shtetasit në Shqipëri, do të jenë objekt i “tatimit mbi të ardhurat nga trashëgimitë dhe dhurimet”.
Tatimi do të zbatohet edhe në rastin kur personat heqin dorë nga pronësia.
Ky ndryshim përfshihet në ligjin “Mbi tatimin për të ardhurat”, për “të ardhurat e tatueshme nga investimi për tjetërsimin e pasurive të paluajtshme”.
Të ardhurat e tatueshme të investimeve nga tjetërsimi i pasurisë do të përcaktohen si diferencë midis çmimit të shitjes dhe çmimit të blerjes së pasurisë.
Nga ana tjetër, çmimi i blerjes në lidhje me të ardhurat e patatueshme të investimit nga tjetërsimi i pasurisë së paluajtshme, sipas ligjit, nuk do të mund të zbritet nga baza e tatimit.
Sipas ndryshimit ligjor, në rastin e pasurive të patundshme, që janë fituar me trashëgimi ose dhurim, apo edhe heqje dorë nga pronësia, çmimi i blerjes për qëllime tatimore do të jetë vlera e tatueshme e pasurisë së dhuruar ose trashëguar në momentin e marrjes.
“Nëse të ardhurat e tatueshme nga investimi, rezultojnë me humbje në një vit tatimor, të ardhurat e tatueshme të investimeve nga tjetërsimi i pasurisë konsiderohen të jenë zero”- thuhet në ligjin e ri për “Tatimin mbi të ardhurat”.
Në këtë pikë, ligji përcakton se pavarësisht deklarimeve në zyrat noteriale të shitjes së pasurive të paluajtshme midis shitësit, dhuruesit dhe personit që bëhet pronar, çmimi i shitjes së pasurisë së patundshme do të vlerësohet me çmimin më të lartë ndërmjet çmimit të shitjes sipas kontratës dhe çmimit referues të përcaktuar në aktet në fuqi për pasurinë e patundshme.
Pra, personi që përfiton ose ai që e shet apo e dhuron, ose që e kalon pasurinë e patundshme në pronë të tij nëpërmjet trashëgimisë, do të tatohet mbi bazën e çmimit referues të përcaktuar për çmimet e referencës për pasuritë e patundshme.
Ndryshimi ligjor përcakton se tatimi mbi të ardhurat personale që lidhet me të ardhurat nga investimet nga tjetërsimi i pasurive të paluajtshme, do të paguhet nga personi që transferon të drejtën e pronësisë mbi pasurinë e patundshme, para regjistrimit të këtyre pasurive në regjistrin e pasurive të patundshme.
Institucioni përgjegjës i regjistrit të pasurive të paluajtshme nuk e regjistron pasurinë e paluajtshme, derisa pagesa e tatimit të jetë konfirmuar.
“Institucioni përgjegjës për regjistrimin e pasurive të paluajtshme transferon brenda datës 20 të muajit të ardhshëm në llogarinë e administratës tatimore tatimin e mbledhur. Ministri përgjegjës për financat dhe institucioni që ka në fushën e përgjegjësisë regjistrimin e pasurive të paluajtshme përcaktojnë me udhëzim të përbashkët kushtet, procedurat dhe metodologjinë për zbatim”- thuhet në ligjin e ri “Për tatimin mbi të ardhurat”.