Ndryshojnë 3 linjat e urbanëve. Nga ‘Unaza’, ‘Tirana e Re’, te ‘Kombinat-Kinostudio’, ja çfarë pritet të ndodhë

4289
0

Linjat e autobuzëve në Tiranë pritet të ndryshojnë.

Bëhet fjalë për Unazën, Tiranën e Re dhe linjën Kombinat-Kinostudio. Këto linja do të kenë korsi të dedikuara dhe të pandërprera, çka do të mundësojë lëvizje më të shpejtë të qytetarëve që përdorin transportin publik.

“Do ketë dyfishim te shpejtësisë, do përgjysmohet koha e një cikli të plotë që përshkon një autobus i linjës urbane, do rritet kapaciteti i transportit”, tha Dashnor Mema, kryetar i Unionit të Transportit Publik.

Me ndryshimet që priten të bëhen në sektorin e transportit publik, që si synim kanë përmirësimin e shërbimit për qytetarët e që rrjedhimisht do të sjellë edhe numër më të lartë të përdoruesve, nuk do të ketë ndryshime në çmimin e biletës.

“Nuk besoj se do të ketë ndryshime në çmim, por do të jenë linja që do lëvizin më shpejtë dhe do ndihmojnë në uljen e trafikut”, shtoi Mema.

Mbi 250 mijë veta në ditë përdorin transportin publik ne kryeqytet. Numri i qytetarëve që përdorin autobusët si mënyrë lëvizje në Tiranë u shtua edhe më tepër pas rritjes së çmimit të karburantit. Por shpeshherë për këtë sektorë ka ankesa nga qytetarët për pritjen e gjatë në stacion apo mbushjen përtej kapaciteteve të autobusëve. Me ndryshimet e reja pritet që pritja në stacion e qytetarëve të shkojë në 3 minuta për të gjitha linjat dhe cilësia e shërbimit të rritet.