Ndryshimet në qeveri, kush janë ministrat që rrezikojnë dhe arsyet pse

614
0

Socialistët do ta nisin javën me mbledhjen e Kryesisë ndërsa në datën 28 është njoftuar mbajtja e punimeve të Asamblesë Kombëtare. Mbledhja e dy strukturave më të larta të Partisë Socialiste, duke e lidhur dhe me zhvillimet e javëve të fundit, kanë bërë që të qarkullojnë zërat se Edi Rama ka vendosur të ndërhyjë në qeveri.

Por kush janë emrat e ministrave më të rrezikuar dhe arsyet pse.

E para është Lindita Nikolla. Ministrja e Arsimit është duke kaluar momentin më të vështirë që kur është emëruar në këtë post. Arsimi universitar prej më shumë se dy javësh është pezulluar dhe studentët kanë dal në rrugë. Protesta e tyre është e bazuar mbi tetë kërkesa por ato shkojnë edhe më tej pasi në shënjestër është ligji i arsimit të lartë, një nga pikat të cilat Nikolla dhe qeveria e saj e kishin renditur si pikë të parë të arritjeve të tyre. Largimi i Nikollës, me gjasë do të shoqërohet edhe me faturën e “fajit”, dhe duket se në këtë mënyrë mazhoranca bën një lëvizje e cila mund të shuaj protestën e studentëve që është njoftuar se do të rinis në janar.

Damian Gjiknuri së bashku me Arben Ahmetajn, cilësohen si “super ministra” për shkak të fuqisë së ministrive që ata drejtojnë. Ministri i Transporteve është në qendër të akuzave që pas skandalit të tenderit tek “Unaza e Re”, ndërkohë që Ahmetaj rrezikohet për shkak të përplasjeve të brendshme në parti, përplasje të cilët u bënë më evidente gjatë diskutimeve për buxhetin e vitit të ardhshëm. Si Gjiknuri ashtu edhe Ahmetaj janë pjesë e ekzekutivit prej pesë vitesh, por duket se këtë herë eksperiencën e kanë në disfavor për shkak të konsumit në publik.

Niko Peleshi i rezistoi kritikave të para të bërë nga Rama gjatë Asamblesë së fundit të PS-së, por që prej asokohe asnjë nuk ka ndryshuar. “Unë dua që ekipi drejtues i Ministrisë së Bujqësisë të mos shkojë fare në shtëpi, po të marri rrobat dhe të iki në fshat edhe të luftojë atje dhe të ulen të gjithë atje dhe t’ju bëjnë atyre dokumentet që ata nuk i bëjnë dot”, do të shprehej Rama disa muaj më parë duke dhënë shenjat e pakënaqësisë së hapur ndaj Peleshit.

Në listën e të rrezikuarve është edhe Pandeli Majko. Ky i fundit e dha një herë dorëheqjen pas përplasjeve me Ramën për Teatrin Kombëtar, por kreu i qeverisë e refuzoi. Shqetësimi i Ramës se Majko mund të devijojë sërish nga qëndrimet e shumicës, mund të jetë një arsye për largimin e tij. Debati për Teatrin Kombëtar por edhe konsumi pesë vjeçar si ministre bën që tek lista e të rrezikuarve të jetë edhe Mirela Kumbaro.

Ata të cilët shihen si më pak të rrezikuarit janë “fytyrat e reja” të qeverisë, Sandër Lleshaj, Etilda Gjonaj apo edhe Olta Xhaçka./Politiko.al