Skip to content

Ndryshim i rëndësishëm në shkollat shqiptare, del “urdhri i ri”: Nxënësve i ndalohet..

    Viti i ri shkollor do të sjellë një ndryshim radikal pasi Ministria e Arsimit ka nxjerrë urdhrin e reptë duke i ndaluar nxënësve telefonin celular.

    Ministrja Ogerta Manastirliu, në mesazhin drejtuar nxënësve, mësuesve, prindërve dhe gjithë komunitetit, tha se shkolla duhet të jetë një hapësirë e sigurt dhe e përqendruar tek mësimi.

    Shkolla është vendi ku ndërtojmë të ardhmen e fëmijëve tanë, është hapësira ku duhet të mbizotërojë kujdesi, përqendrimi dhe respekti për njëri-tjetrin dhe mësimin që kryhet në klasë. Prej disa vitesh ne kemi pasur si rregull që telefonat celularë nuk lejohet të përdoren gjatë orës së mësimit. Por këtë vit shkollor, duke parë përvojën e vendeve të tjera dhe studimet e fundit, po e forcojmë zbatimin e këtij rregulli, që të jetë realisht efektiv. Nuk jemi të vetëm në forcimin e masave të ndalimit të përdorimit të telefonave celularë në shkolla dhe vendet europiane i kanë aplikuar këto masa dhe e kanë përforcuar këtë vit këtë rregull”, thotë ministrja.

    Manastirliu bëri të ditur urdhrin e ri: “Telefonat nuk duhet të merren në shkollë”.

    Në këtë vit shkollor rregulli është i thjeshtë për të gjithë: Telefonat nuk duhet të merren në shkollë. Në rast të nevojës të argumentuar nga prindi, në drejtorinë e shkollës, që fëmijën ta pajisë me telefon, atëherë telefoni fiket, nxënësi e dorëzon sipas rregullit të shkollës në sirtarin apo kutinë e përcaktuar në klasë, nga momenti i nisjes së mësimit deri në përfundim të orarit mësimor. Mësuesi kujdestar dhe drejtoria janë përgjegjës për zbatimin e këtij rregulli. Për raste urgjente, komunikimi me prindin bëhet vetëm me leje ose përmes mësuesit apo drejtorit të shkollës. Roli i mësuesit është të jetë shembull në zbatimin e këtij rregulli”, thotë Manastirliu.